Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna e vrasjet me armë në Suedi në rritje – Media


Në dekadën e fundit, të shtënat e lidhura me bandat janë përshkallëzuar në Suedi, me autoritetet që përpiqen të frenojnë dhunën e ngjashme me luftën. Vendi skandinav tani përmendet shpesh si ‘kryeqyteti i Evropës’ kur bëhet fjalë për të shtënat vdekjeprurëse.

Ky vit ka qenë më i përgjakshmi i regjistruar në Suedi, pasi deri tani kanë ndodhur 48 të shtëna me vdekje, me numrin që pritet të rritet deri në fund të vitit, sipas raporteve të mediave lokale.

Sipas një raporti të publikuar nga Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit (BRA), shkalla e të shtënave me vdekje në Suedi renditet ‘shumë e lartë’ krahasuar me vendet e tjera evropiane, me afërsisht katër vdekje për milion banorë në vit, ndërsa në Evropë, afërsisht çdo vit regjistrohen 1.6 vdekje për një milion banorë.

“Situata e tanishme këtu është shumë kaotike kur bëhet fjalë për bandat kriminale.” – tha Diamant Salihu, gazetar në vend.

Në përgjithësi, anëtarët më të vjetër të bandave rekrutojnë adoleshentë nga zona të cenueshme për të kryer të shtënat, pasi personat nën 18 vjeç, i shpëtojnë dënimit të rëndë.

“Është një mjedis shumë toksik për momentin dhe ne shohim që adoleshentët po përdoren si vrasës profesionistë.” – shtoi Salihu.

Ardavan Khoshnood, një kriminolog në Universitetin e Lundit dhe mjek në një spital suedez, tha se shumica e viktimave janë me prejardhje emigrante, midis 15 dhe 29 vjeç.

Khoshnood vuri në dukje se rrjetet kriminale gjithnjë në rritje kanë qenë në gjendje ‘të piqen dhe të ushqehen lirshëm pa përfshirjen e autoriteteve’.

Portretizimi negativ i emigrantëve

Sipas tij, fluksi i madh i armëve të paligjshme në Suedi dhe një integrim i dështuar luajti rol kur bëhet fjalë për vdekjet tronditëse të lidhura me bandat. Në vendin skandinav që dikur ishte një model politik dhe ekonomik, gjërat filluan të ndryshojnë në vitet 1990 kur hendeku brenda shoqërisë filloi të rritet, sipas Alexandra Pascalidou, një tjetër gazetare dhe autore.

Pascalidou, e cila është gjithashtu aktiviste e të drejtave të njeriut, beson se margjinalizimi në vend ka çuar në të shtënat që u kanë kushtuar jetën shumë të rinjve e adoleshentëve.

Portretizimi negativ i emigrantëve në shoqëri dhe media është intensifikuar në Suedi në dy dekadat e fundit, tha ajo.

“Kur fëmijët apo adoleshentët e tjerë jo emigrantë vriten, mediat shkruajnë se ata ishin djem të kqëinj ose të mirë. Ose të gjithë e donin dhe se ai luante futboll apo merrej me ndonjë sport tjetër. Por kur këta fëmijë vriten dhe janë me ngjyrë, ose myslimanë apo pakica atëherë për mediat e qytetrarët këtu është thjesht statistikë. Media suedeze i ka cilësuar emigrantët si një kërcënim që ka çuar në paragjykime dhe mosbesim ndaj individëve me prejardhje emigrante.” – tha ajo.

Kriminelët enden të lirë
Shumica e vrasjeve të lidhura me bandat mbeten të pazbardhura nga policia pasi sipas Khoshnood, me vetëm 18% e rasteve që trajtohen me sukses.

“Pra, kjo do të thotë se kriminelët enden lirshëm.” – shtoi Pascalidou.

Sipas Pascalidou, autoritetet suedeze nuk po vënë burime të mjaftueshme për hetimin e këtyre vrasjeve me shumë raste që mbyllen pas vetëm disa muajsh.

“Fëmijët jetojnë me frikë në periferi dhe janë shumë, shumë të zhgënjyer, sepse ata kanë ndjenjën se jetët e tyre nuk ia vlejnë asgjë. Që edhe nëse i qëllojnë për vdekje, askush nuk do të kujdeset vërtet për ta.” – shtoi Pascalidou.