Vendosni fjalën kyçe....

Rama u përgjigjet pedagogëve që protestojnë: Do i rrisim pagat me 7%


Kryeministri Rama ka premtuar sot se për pedagogët do ketë një rritje page prej 7%.

Ai e bëri deklaratën në një aktivitet të Universitetit Bujqësor ku theksoi se pedagogët nuk janë si mësuesit, mjekët, infermierët, policët apo ushtarakët.

Sipas kreut të qeverisë pedagogët kanë mundësinë dhe hapësirën për të marrë edhe pesëfish të pagës.

“Atyre që dalin në rrugë dhe kërkojnë rritje page ju them që nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi dhe as mësues 9-vjeçareje. Nuk jeni as mjekë as infermierë. Nuk jeni as punonjës policie dhe as ushtarakë. Nuk jeni as pensionistë. Të gjithë këta marrin një pagë dhe një pension fiks. Ndërkohë që pedagogët janë në hapësirë të ndërmjetme mes mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bën vetes rrogën edhe 5-fish. Me fondet e tjera. Janë fondet e vetëfinancimit. Janë fondet europiane dhe të universiteteve të tjera private ku shkohet dhe bëhet dhe mësim. Këtu ka një histori tjetër të pagave të deklaruara pjesërisht. Kemi paga që nuk përkojnë me të vërtetën. Por nuk është ky problem. Do bëjmë një rritje pagash të mërkurën a të enjten prej 7% por do i  njohim universitetit të drejtën për të rritur pagën sipas vendimmarrjes së vet. Nuk janë të gjithë njësoj. Universiteti është autonomi. Zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit dhe tregut.” – tha Rama.