Vendosni fjalën kyçe....

Borisov heq dorë nga posti i kryeministrit, kërkon koalicionin


Ish-kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, partia e qendrës së djathtë GERB e të cilit doli fituese e zgjedhjeve, ftoi kundërshtarët e tij politikë të martën në bisedime mbi formimin e një qeverie.

Rezultatet nga zgjedhjet e së dielës treguan se GERB mori 25.4% të votave, duke e lënë pas partinë reformiste. Pesë parti të tjera kaluan pragun e mbështetjes së nevojshme për të hyrë në Asamblenë Kombëtare prej 240 vendesh.

Siç shkruan RFERL, Borisov tha se ishte gati të hiqte dorë nga posti i kryeministrit nëse kjo ishte ajo që duhej për të rënë dakord për një koalicion funksional dhe shtoi se zgjedhjet të tjera të parakohshme, nuk është se do të prodhonin një tjetër rezultat nga këto të fundit.

“Tani nuk është koha e duhur për dominim, por për të kërkuar unitet.”- tha Borisov, duke shtuar se rreth 80% e bullgarëve duan të shohin një qeveri të re në vend të zgjedhjeve të tjera.

Borisov propozoi lejimin e ekspertëve të partisë për të kërkuar gjuhën e përbashkët midis partnerëve të mundshëm të koalicionit mbi çështjet kryesore të politikës së jashtme dhe të brendshme.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme erdhën pasi ra koalicioni i brishtë i udhëhequr nga Kiril Petkov i partisë reformiste kundër korrupsionit.

Bullgaria me afro 7 milionë banorë është rrënuar nga bllokimi politik që nga viti 2020, kur u trondit nga protesta mbarëkombëtare. Pjesa më e madhe e zemërimit ishte drejtuar ndaj Borisovit dhe partisë së tij GERB.