Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet presidenciale në Brazil, Bolsonaro kërkon mandatin e dytë, Lula da Silva rikthimin në pushtet


Brazilianët po votojnë për të vendosur se kush do ta udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme, në atë që në media përshkruhet si një garë gjithnjë e më ‘e hidhur’.

Në garë për postin kryesor në superfuqinë e Amerikës së Jugut janë 11 kandidatë. Megjithatë, vetëm dy prej tyre gëzojnë mbështetje të konsiderueshme dhe konsiderohen si kryesues: 67-vjeçari Jair Bolsonaro, i cili po kërkon një mandat të dytë dhe 76-vjeçari Luiz Inacio Lula da Silva, i cili shërbeu si president nga 2003 deri në 2010.

Meqenëse votimi është i detyrueshëm në Brazil, më shumë se 156 milionë qytetarë pritet të marrin pjesë.

Sipas dy sondazheve të publikuara të shtunën nga disa prej anketuesve më të njohur të Brazilit, i majti Lula da Silva parashikohet të marrë mbi 50% të votave, që do të thotë se ai mund të fitojë raundin e parë. Nëse nuk ka fitues të qartë, raundi i dytë do mbahet më 30 tetor.

Në prag të votimeve të së dielës, dy pretendentët kryesorë shkëmbyen fyerje, me Bolsonaron që e quajti kundërshtarin e tij një ‘ish të burgosur’ dhe ‘tradhtar’, një referencë për burgosjen e Lula da Silvës në 2018 për dënimet për korrupsion, të cilat më vonë u hodhën poshtë. Lula da Silva e quajti presidentin e tanishëm ‘gënjeshtar’.

Një ish-kapiten i ushtrisë, i cili kaloi gati tre dekada në Kongres, Bolsonaro ka paralajmëruar tashmë se do kundërshtojë rezultatin nëse humbet, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit elektronik të votimit të Brazilit, për të cilin ai thotë se është i ndjeshëm ndaj mashtrimit, gjë të cilën autoriteti zgjedhor i vendit e mohon me forcë.

Lula da Silva e ka përqendruar fushatën e tij në tejkalimin e pabarazisë sociale dhe zbutjen e varfërisë. Ndër masat që ai propozon janë rritja e taksave për të pasurit, zgjerimi i rrjetit të sigurimeve shoqërore dhe rritja e pagës minimale.

Slogani i fushatës së Bolsonaros ka qenë ‘Zoti, familja, atdheu dhe liria’. Vizioni i tij për të ardhmen e Brazilit përfshin privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës të vendit, hapjen e rajonit të Amazonës për më shumë miniera dhe lehtësimin e rregulloreve të armëve.