Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i KLSH-së për “Zyber Hallullin”/ Silva Caka: Dy ministret të reagojnë, më e pakta shkarkimi i drejtuesit të institucionit


Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, kërkon shkarkimin e drejtuesve të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” pas skandalit të zbuluar nga auditimi i KLSH-së, se të miturit nuk ushqeheshin aq sa duhej.

Caka shprehet se edhe pse janë bërë disa ditë nga bërja publike e skandalit, Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk ka bërë asnjë reagim, ku më e pakta sipas saj do të ishte shkarkimi i drejtoreshës së institucionit.

“Shkarkimi i drejtuesit të kësaj strehe dhe gjithë atyre që kanë abuzuar me bukën e gojës së jetimëve do të ishte më e pakta që mund të bënte Manastirliu, si nënë në radhë të parë… Se e kemi të qartë që kallëzimi penal është i pamendueshëm për drejtorët e partisë.”– shkruan Caka.

Ajo i është drejtuar edhe ministres për Fëmijët Bora Muzhaqit, duke kërkuar një reagim edhe nga ajo.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku ka konstatuar një sërë shkeljes.

Në raportin e KLSH-së, thuhet se ky institucion nuk ka zbatuar kuotën e nevojshme ushqimore për fëmijët që ndodhen të strehuar aty dhe fëmijët kanë konsumuar më pak ushqim sesa është përcaktuar me ligj.

REAGIMI I PLOTË

Asnjë reagim ende nga Ministria e linjës për raportin e KLSH-së, ku faktohet SKANDALI se prej 4 vitesh, fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, po konsumojnë më pak ushqim nga sa është përcaktuar në ligj.
Të pangopur që hanë edhe bukën e fëmijëve jetimë…

Në Kuran thuhet: ”Jepini pasurinë jetimëve (kur të bëhen të aftë të vetvetes), mos ua ndërroni të keqen (nga pasuria juaj) me të mirën (nga pasuria e tyre). Mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është mëkat i madh.” (Nisa: 2)
Por Ministria nuk do t’ia dijë as për ligj e as për Zot, se ndërgjegje dhe dhembshuri nuk ka e nuk ka…
Shkarkimi i drejtuesit të kësaj strehe dhe gjithë atyre që kanë abuzuar me bukën e gojës së jetimëve do të ishte më e pakta që mund të bënte Manastirliu, si nënë në radhë të parë… Se e kemi të qartë që kallëzimi penal është i pamendueshëm për drejtorët e partisë.
Edhe një pyetje të fundit, se nuk mundem t’a shmang:
Bora Muzhaqi, e kemi të qartë që edhe ti vetë e ke harruar që je Ministre e Fëmijëve, pasi në shumë raste ku përfshihen fëmijët, nuk të është ndjerë zëri i gojës fare, por doja të dija mos ndoshta mendon se je Ministre e Fëmijëve të Edi Ramës, Ministrave dhe Deputetëve të PS?
Se për fëmijët e Shqipërisë nuk ke reaguar qoftë një herë të vetme!