Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy’ e kopshtit ‘Turgut Ozal’, çfarë ka ndodhur deri tani


Qeveria Rama vendosi dje mbylljen e institucionit arsimor ‘Mehemet Akif Ersoy’.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave me propozim të ministres së Arsimit, Kushi.

Në aktin e djeshëm të qeverisë nuk jepeshin shkaqet që çuan në marrjen e vendimit po vetëm përcaktoheshin procedurat që duhet të ndjekin përfaqësuesit e institucionit arsimor në fjalë e të fondacionit ‘Gulistan’ deri në mbylljen e plotë e transferimin e të gjithë nxënësve në shkolla të tjera.

Vendimi i qeverisë solli reaksion si nga përfaqësuesit e institucionit ‘Mehmet Akif Ersoy’ ashtu edhe nga deputetët e opozitës, të cilët bënë thirrje për anulimin e vendimit. Kjo ishte ajo që ndodhi dje.

Sot ministrja e Arsimit Kushi dha arsyet sipas saj të heqjes së licencës së shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy’.

Në një reagim zyrtar, Kushi tha se institucioni arsimor në fjalë e ka nisur procesin mësimor 2022/2023 në vendndodhje e mjedise të tjera, të pamiratuara nga Ministria e Arsimit, pa certifikimin ligjor përkatës e standardeve të godinës.

Po kështu në deklaratë thuhet se përfaqësuesit e ‘Mehmet Akif’ nuk kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana e ministrisë është kryer verifikimi i tyre dy herë. Në reagimin e ministrisë theksohet se vendimi nuk ka lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të vendimit.

Ditën e sotme vendimi preku edhe kopshtin ‘Zubeyde Hanim’ pjesë e grupit arsimor ‘Turgut Ozal’.

Njoftimi për mbylljen është bërë nga drejtuesit e kopshtit përmes një letre drejtuar prindërve. Në letër përfaqësuesit e kopshtit theksonin se vendimi ishte i padrejtë dhe se çështjen do e ndiqnin në rrugë ligjore.

Sipas tyre, të gjitha kushtet e detyrimet të kërkuara nga shteti janë plotësuar ndërsa kanë dorëzuar në Gjykatën Administrative kërkesën për anulimin e vendimit. Në një deklaratë për mediat ata kanë hedhur dyshime mbi arsyet e vërteta të vendimit të marrë nga qeveria Rama.

Shkollat ‘Mehmet Akif Ersoy’ janë pjesë e fondacionit ‘Gulistan’ ndërsa kopshti ‘Zubeyde Hanim’ pjesë e institucionit ‘Turgut Ozal’. Të dyja dyshohet se financohen e kanë lidhje me Fethullah Gulen, kundërshtari i presidentit turk Erdogan, i cili aktualisht jeton në SHBA, ku ka fituar azil politik.

Gjatë vizitës në Shqipëri në janar të këtij viti, Erdogan kërkoi me forcë mbylljen e të gjitha institucioneve e grupeve që kanë lidhje me organizatën e emërtuar ‘FETO’ në Turqi, pjese e së cilës akuzohet se është edhe Gulen, e cila akuzohet se qëndron pas grushtit të dështuar të shtetit në 15 korrik 2016 në Turqi.

Më poshtë janë reagimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit e përfaqësuesve të institucioneve arsimore të mbyllura

Reagimi i Ministrisë së Arsimit

Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

  1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
  2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
  3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.

 

Drejtoresha didaktike e kopshtit ‘Turgut Ozal’, Gentjana Burimi

“Që nga 2004 kemi kryer mësime në kushte moderne, në të gjitha ciklet. Kemi ushtruar bashkëpunimin tonë në bashkëpunim me MASH. Institucionet tona arsimore gjatë muajve të fundit kanë qenë objekt inspektimesh që s’i përgjigjen planeve të monitorimit. Në raportet e inspektimit është konstatuar që kopshti përmbush të gjitha parametrat e nevojshme. MASH ka refuzuar kërkesën tone për ndryshimin e vendndodhjes, edhe pse ndoqëm procedurat. Kërkojmë nga MASH të shikojë vendimin, kemi 2 dekada që respektojmë ligjet. Vendimi prish qetësinë e me shume se 200 familjeve. Do e ndjekim deri në fund betejën ligjore.”

Avokati i ‘Turgut Ozal’, Isuf Shehu

“Ndodhemi ketu nga 2004, kemi pasur korrespondencë të vazhdueshme me MASH. MASH s’ka respektuar ligjet, kjo është reflektuar në këtë urdhër të padrejtë. Ministrja mendon që për 24 orë fëmijët largohen nga kopshti, ky proces do kohën e tij. S’e dimë çfarë fshihet pas këtij vendimi. Duam plan zbatimi, i jemi bindur urdhrit të MASH. Kohët e fundit kemi pasur kontrolle periodike. Kopshti në të kaluarën ka qenë pjesë e fondacionit ‘Gulistan’, në vitin 2004.”

 

Reagimi i fondacionit ‘Gulistan’

“Njoftim për shtyp mbi VKM-në e datës 22 Shtator 2022 për mbylljen e aktivitetit të shkollës së mesme jopublike “Mehmet Akif” Tiranë

Nëpërmjet medias jemi njoftuar sot për VKM-në me objekt mbylljen e aktivitetit të institucionit tonë duke mos mësuar zyrtarisht mbi shkaqet e vendimit, i cili godet në radhë të parë arsimin cilësor në Shqipëri.

Shkolla e Mesme jopublike “Mehmet Akif” eshte pjese e Fondacionit “Gulistan” prej 26 vitesh në Shqipëri duke zbatuar në mënyrë të përpiktë kuadrin ligjor të vendit, ndërsa mbart mbi vete një histori të madhe suksesi teksa është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira.

Me dhjetëra medalje ari dhe qindra të tjera në olimpiada brenda dhe jashtë vendit, shkolla jonë është një krenari e nxënësve, prindërve që na besuan si edhe vetë Shqipërisë duke dhënë një kontribut të rendësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit këtu.

Jo më kot, institucionet përgjegjëse na kanë vlerësuar si ndër më të mirë për vite me radhë në këtë sektor.

Deri më tani, në shkollën tonë janë arsimuar mijëra nxenës, të cilët sot përbëjnë elitën intelektuale të vendit, ndërsa duam të theksojmë se krahas tyre, vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxenës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës.

Pavarësisht sukseseve tona, dashurisë dhe përkushtimit ndaj arsimit, sot u përballëm me një vendim të tillë, i cili sipas nesh nuk ka të bëjë me arsimin apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi.

Si u shkua deri këtu

Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”).

Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.

Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë.

Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit.

Ndodhur pëpara një vëndimi të tillë, kemi bindjen e plotë se drejtësia do e thotë fjalën e saj.

Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor.

Me respekt,

Fondacioni Gulistan”