Vendosni fjalën kyçe....

Protestat në Iran, vriten katër persona


Katër persona janë vrarë në Iran gjatë protestave mbi vdekjen e një gruaje 22-vjeçare, e cila humbi jetën pasi u arrestua nga policia nën dyshimet se ka thyer rregullat për veshjen e hixhabit, tha një organizatë.

Organizata për të Drejtat e Njeriut Hengaw tha më 19 shtator se dy persona u vranë në qytetin Divandarreh – pjesë e rajonit kurd të Iranit – ku protestat lidhur me vdekjen e Mahsa Amini kanë qenë më të mëdhatë.

Dy persona të tjerë u vranë në Saqez, tha kjo organizatë që monitoron zonat e banuara nga kurdët në perëndim të Iranit.

Organizata për të Drejtat e Njeriut Hengaw i identifikoi viktimat në Divandarreh si Fuad Ghadimi dhe Mohsin Mohamadi, duke thënë se ata ishin civilë “që u vranë nga të shtënat e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”. Kjo organizatë tha se edhe 15 persona janë plagosur.

Përmes një postimi tjetër në Twitter, u tha po ashtu se edhe dy viktimat e tjera në Saqez u vranë “nga të shtënat me armë nga forcat e regjimit iranian”.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane. Televizioni shtetëror raportoi se një numër protestuesish janë arrestuar, por nuk raportoi për viktima.

Më herët gjatë 19 shtatorit, policia iraniane tha se vdekja e Mahsa Amini ishte “një aksident” dhe mohoi akuzat se ajo ishte keqtrajtuar.

Ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi, tha se Amini më herët ka vuajtur nga disa sëmundje, duke shtuar se policia e hixhabit “nuk ka as mjete për të rrahur të ndaluarit”.

Protesta për vdekjen e Aminit janë mbajtur edhe më 18 shtator në Sanadaj, kryeqytetin e provincës së Kurdistanit.