Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 13 emigrantë në mjet, pranga në Lezhë 26-vjeçarit nga Kosova


Një 26-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Lezhë pasi është kapur duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm.

Ai u ndalua në rrugën Rrëshen-Thirrë pranë fshatit Ndërfushas. Mes emigrantëve të ndaluar një pjesë ishin fëmijë të mitur.

Njoftimi

“Lezhë / Transportonte kundrejt fitimit, 13 emigrantë nga vendet MENA, disa prej tyre të mitur, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 26-vjeçari nga Kosova.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Zgjedhja e gabuar”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet Komisariatit të Policisë Mirditë dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë. Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë edhe të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në mënyrë të kundërligjshme emigrantë, me automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Zgjedhja e gabuar”.

Gjatë këtij operacioni, në aksin rrugor “Rrëshen – Thirrë”, në zonën e fshatit Ndërfushas, Mirditë, shërbimet e Policisë Mirditë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin R. K., 26 vjeç, banues në Kosovë, në të cilin, gjatë kontrollit, janë gjetur 13 emigrantë nga vendet MENA, disa prej tyre të mitur, të cilët, 26-vjeçari po i transportonte në mënyrë të kundërligjshme, kundrejt pagesës. Në vijim të veprimeve shtetasi R. K. është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.”