Vendosni fjalën kyçe....

MULI KUNDËR MULIT – Dy qëndrimet diametralisht të kundërta të zyrtarit demokrat


Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka mban qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen e parave ruse që dyshohet se u përdorën nga Lulzim Basha për lobim në SHBA.  Qëndrimi i Nokës ka ndryshuar me 180 gradë nga viti 2018 deri më sot.

Noka në vitin 2018, kur Lulzim Basha ishte kryetari i tij mendonte se artikulli i Mother Jones ishte rreng i bërë nga Kryeministri Edi Rama me mbështetjen e George Sorosit.

Por sot 4 vite më pas, Noka është rreshtuar krah Ramës duke mbajtur qëndrim kundër Lulzim Bashës.

Edi Rama është mjeshtër i tymnajave për të mbuluar skandalet e qeverisë së tij. Le të vijojnë hetimet. S’ka asgjë për të fshehur nga Partia Demokratike. Mother Jones është një gazetë mbrapa së cilës fshihet babai shpirtëror i Edi Ramës, George Soros. Që këtu kuptohet. Father Soros nëpërmjet Mother Jones i vjen në ndihmë Edi Ramës që paguan për këtë gjë. Po pse ndodh kjo e pikërisht tani?”-deklaronte Noka në një intervistë për rubrikën “Opinion” në News 24 në vitin 2018.

Flamur Noka në emisionin “Open” në News 24 deklaroi mbrëmjen e sotme se dosja “Muzin” që implikonte ish-kryetarin e PD-së nuk do mbyllej pa ndërhyrjen e Ramës nëpërmjet Engjëll Agaçit.

Noka shtoi se kjo dosje është pikërisht ajo me të cilën Rama mbajti peng Lulzim Bashën në misionin për shkatërrimin e PD.

Materialet tregojnë se Rama i paska parë të gjitha dhe i ka mbyllur, është marrë peng. Në 9 mars 2018 Rama në konferencë për shtyp tha askush nuk mund ta mbyllë dosjen do i shkohet në fund. Pas ndërhyrjes së Engjëll Agaçit dosja u mbyll”-deklaroi Noka.