Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Tiranës nis hetimet pas sulmit kibernetik ndaj TIMS: E kemi futur në një dosje me sulmin ndaj e-Albania, 4 vepra penale


Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas sulmit kibernetik të muajit korrik ndaj e-albania, por edhe të sulmit të pak ditëve më parë ndaj sistemit TIMS.

Sikurse bëhet me dije përmes një njoftimi, dy sulmet po hetohen sëbashku duke qenë se dyshohet se ka ardhur nga e njëjta dorë, Irani.

Janë katër vepra penale që ka regjistruar prokuroria: Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, ndërhyrja në Sistemet kompjuterike dhe keqpërdorimi i pajisjeve.

“Sulmi kibernetik ndaj TIMS, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për disa vepra penale.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS, i cili rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë.Më datë 19.07.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale:

“Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”;

“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”;

“Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike”; dhe

“Keqpërdorimi i pajisjeve”, të parashikuara nga nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, të Kodit Penal.

Objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Po kështu, më datë 09.09.2022 është kryer një tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.

Këto dy veprime, duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një dosje të vetme.

Si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve. 

Në ushtrim të kompetencave të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjithë agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete. 

Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe po vijojnë.”- njofton prokuroria.