Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Sensibilizoni fëmijët të mos harxhojnë energjinë elektrike


Kryeministri Edi Rama inauguroi sot shkollën e re “Andrea Stefani” në Tiranë, nga ku bëri thirrje për të ndërgjegjësuar fëmijët për kursimin e energjisë elektrike.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria është i vetmi vend që nuk i ka rritur çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

 “Ndërkohë që çmimi rritet e rritet në mënyrë marramendëse në treg, në bursë, ku duhet ta importojmë e mbetet ai që ishte për familjarët e bizneset është qeveria, buxheti i shtetit që plotëson gjithë atë hendek që zgjerohet midis çmimit real e çmimit që paguan secili në faturë.

Duhet në gjithë shkollat të sensibilizohen fëmijët e më pas të kthehen në këshilltarët e prindërve që mos harxhojnë energji të panevojshme por të jemi sa më të kursyer që të përballojmë, jemi të vetmit që kemi mbetur pa rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë biznesin e vogël.”– tha Rama.

Kryeministri u përgjigj dhe për kritikat që ka marrë nga opozita pas vendosjes së fashës 800 kë/h. Ai theksoi se çmimi i energjisë nuk do të preket, por nuk dihet deri kur.