Vendosni fjalën kyçe....

India do e blejë naftën ruse pavarësisht presionit të Perëndimit – Ministri


Ministri indian i Naftës, Hardeep Singh Puri i tha CNBC të mërkurën se vendi i tij do vazhdojë të blejë naftë ruse pavarësisht presionit në rritje nga Perëndimi.

Ministri shpjegoi se bëhet fjalë për sigurinë e energjisë, duke theksuar se India konsumon rreth pesë milionë fuçi naftë në ditë.

I pyetur nëse ka një konflikt moral me blerjen e naftës ruse në mes të operacionit ushtarak në Ukrainë, Puri u përgjigj: “Jo, nuk ka asnjë konflikt. Unë kam një detyrë morale ndaj qytetarëve të mi. A dua unë si një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike një gjendje ku pikat e karburantit mbeten bosh? Shikoni se çfarë po ndodh në vendet përreth Indisë.”

Ministri indian i Naftës shtoi se BE-ja nuk ka të drejtë të gjykojë Indinë për importimin e naftës ruse, pasi ajo blen shumë më tepër vetë.

“Evropianët blejnë më shumë më tepër se India. Ne do blejmë nga Rusia, do të blejmë nga kudo.” – shtoi ai.

India ka rritur importet e naftës ruse këtë vit, duke përfituar nga normat e zbritura. Të shtunën, BE-ja i kërkoi Kinës dhe Indisë që t’i bashkohen nismës së G7 për të vendosur një kufi çmimi për naftën e papërpunuar ruse. Të dy vendet e kanë hedhur poshtë këtë ide.