Vendosni fjalën kyçe....

Rama para prezantimit të drejtuesve të rinj në Polici kujton ngjarjen e Himarës: Dhimbja më ka gërryer me ditë dhe me net


Në Ministrinë e Brendshme, kryeministri Edi Rama po bën prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullakut, si dhe drejtuesve të rinj të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Koha për çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e ndryshimit dhe modernizimit të Policisë së Shtetit, për më shumë barazi para ligjit.”- shprehet Rama.

Por para se të bënte prezantimin e drejtuesve të rinj, Rama kujtoi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Himarë më 2 gusht, ku ish-kryekomisari Arjan Tase duke drejtuar një gomone goditi për vdekje një vajzë 7-vjeçare, e cila ishte duke u larë në det me babanë e saj.

Rama tha se ajo ngjarje e ka “gërryer me ditë dhe me net”.

“Përshëndetje të gjithëve! S’e kam harruar akoma ngjarjen tragjike të Himarës, ku vogëlushja e pafajshme humbi jetën nga goditja fatale e një skafi në bregun e detit dhe sot kur vala e madhe e reagimeve mbi plagën e sapohapur është fshitur, por edhe meqë jemi pikërisht këtu në Ministrinë e Brendshme, në një moment ndryshimi në Policinë e Shtetit, kam dëshirë të ndaj një reflektim me publikun dhe natyrisht edhe me ju që jeni gjithë skuadra drejtuese e ministrisë dhe Policisë.

Dhimbja për një jetë aq të re të rrëmbuer aq egërsisht nga një shkelje aq e papërgjegjshme e rregullave, sinqerisht që më ka gërryer me ditë dhe me net.

Edhe kur i shkruajta edhe tani që po i lexoj këto rreshta, prap kam një ndjenjë shumë të fortë revolte për faktin se shkelësi i cili u kthye në vrasës nuk ishte një pushues i zakonshëm por ishte një punonjës policie, që edhe si poushues duhet të jetë shembull i respektit për ligjin dhe për rregullin.

S’ka si të ketë ngushëllim për familjen e një fëmije viktimë. Në kulmin e një dhimbje ekstreme ajo familje e thjeshtë tregoi, duke kërkuar madje mos politizimin e fatkeqësisë dhe përulësisht respekt për ta që edhe në kulmin e përballjes me plagën qëndruan aq lart. Në anën tjetër, ishte një neveri e gjallë.”- tha Rama.

Ngjarja e rëndë e 2 gushtit shkaktoi një valë protestash, ku protestuesit kërkonin shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Gledis Nano (që ishte ende në detyrë) dhe ministrave të Brendshëm Bledi Çuçi dhe të Turizmit Mirela Kumbaro. 

Por kryeministri zgjodhi të mos i shkarkojë dy ministrat, duke shkarkuar vetëm zv.ministra dhe Gledis Nano shkarkoi nga detyra zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.