Vendosni fjalën kyçe....

“I kam mbështetur në heshtje protestat” – Rama njofton ngritjen e një njësie të re policore të emëruar “Jonada” për monitorimin e plazheve


Gjatë takimit të sotëm me drejtorët e policisë, kryeministri Edi Rama tha se ka mbështetue në heshtje protestat e mbajtura para Ministrisë së Punëve të Brendshme për vogëlushen që u vra në plazhin e Potamit në Himarë në muajin gusht, pasi u përplas me skaf nga një punonjës policie.

 “Ishte vërtet një neveri e gjallë sesi më të pangushëllueshmit u shfaqen ulëritësit profesionistë, në politikë dhe media, a thua se vogëlushja iku nga kjo botë për të furnizuar me gjakun e saj engjëllor makinerinë djallëzore të urrejtës që nuk rresht janë po ata. Madje jo vetëm që nuk dua të merrem me ata por arsye që i sjell këtu është se dua ta them publikisht me keqardhje që bëra gabim që u mora menjëherë pas ngjarjes dhe u keqkuptova se e kishin të gjithë me ata që ishin të revoltuar, siç isha dhe unë vetë. Në fakt nuk ishte kështu.

Jo vetëm i kam mirëkuptuar, por me veten time në heshtje i kam përgëzuar për të dalë në atë protestë paqësore këtu para ministrisë së brendshme, pavarësisht se ai soji e shkatërroi edhe atë protestë. Nuk isha me atë që vogëlushen e vrau shteti, por ndaj dhimbjen me ata.

Dua të ngre një pyetje pasi e kam pyetur veten shumë shpesh. A ishte ai individ i paudhë me skafin e tij vrastar shëmbëlltyra e sotme e policisë së shtetit? Sepse nga kjo pyetje përgjigja e saj vazhdon në dy rrugë të ndryshme dhe jo paralele arsyetimi. Unë them jo, as aq që uroj të marrë ndëshkimin më ekstrem dhe as të tjerë individë, të cilët vetë agjencia e mbikëqyrjes policore i ndjek dhe i heton, i ndalon brenda uniformave blu nuk kanë shëmbëlltyrën e policisë, ata janë jashtëmbetje të një organizmi që është në transformim, ku të paudhët nuk mungojnë, por luftohet dhe luftohen më shumë se asnjëherë më parë. Edhe pse le ta themi që në muajit e fundit kanë marrë një hov të paudhët brenda llojit në policinë e shtetit, një hov që duhet ndërprerë me disipline ushtarake.

Falë angazhimit të trupës dhe drejtimit profesional dhe të vendosur të agjencisë së mbikëqyrjes policore nga drejtori i i ri i policisë nga janari në qershor të këtij viti janë dënuar me burg me vendim gjykatë 29 punonjës, me arrest shtëpie 31 dhe 31 të tjerë me masë disiplinorë. 12 janë ish shefa komisariatesh dhe një një drejtor. Pra prerja e druve të shtrembër në rreshtat e gjatë të policisë është pjesë e pandashme e rritjes së fuqizimit të saj.”- tha Rama.

Më tej ai shtoi se i ka kërkuar ministrit Bledi Çuçi ngritjen e një njësie speciale policore për monitorimin e plazheve.

“I kam kërkuar ministrit që të krijojmë një njësi speciale policore, të cilën do ta quajmë ‘Jonada’, në vitin e ardhshëm të jetë aktive në monitorimin e plazheve nga uji dhe nga ajri, me mjete ujore të motorizuara, edhe me dron, për të garantuar siguri të plotë në ujë për pushuesit,  duke imponuar rregullat e lëvizjes mjeteve ujore dhe njëkohësisht pa iu rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë përmes ujërave territoriale dhe që s’kanë arsnjë arsye të shohin policë me sy për sa kohë nuk kërcënojnë asgjë.”– tha Rama.