Vendosni fjalën kyçe....

Rreth 150 mijë domate ranë nga kamioni, shkaktojnë aksidentin e shumëfishtë në Kaliforni (VIDEO)


Më shumë se 150 mijë domate kanë rënë nga kamioni në një autostradë të ngarkuar në shtetin amerikan të Kalifornisë, duke bllokuar trafikun.

Rrugët e spërkatura me domate shkaktuan përplasjen e shtatë makinave dhe mbyllën pjesën më të madhe të autostradës ndërshtetërore numër 80 të hënën.

Patrulla e Autostradave të Kalifornisë tha se tre persona kishin pësuar lëndime të lehta dhe një i katërt është në spital me një këmbë të thyer.

Gjatë sezonit të domates, shoferët e kamionëve përdorin autostradën kryesore për të transportuar frutat në të gjithë shtetin. Sipas raportimeve, përplasja fillestare bëri që kamioni me domate të devijojë në ndarjen qendrore të autostradës, duke derdhur domatet në një seksion prej 200 metrash të autostradës.

 

Oficeri i Patrullës së Autostradës, Jason Tyhurst tha se kjo la një det me salcë të kuqe rreth 60 centimetra të thellë. Makinat kaluan mbi domatet duke krijuar një llucë të rrezikshme lëngu domate, vaji dhe papastërtie.

“Këto lëkurat e domates, o njeri, sapo bien në asfalt, është si të ecësh mbi akull.”- tha Tyhurst, duke folur për New York Times.

Ekipet e pastrimit bënë të mundur që rruga të rihapej disa orë më vonë. Sipas Shoqatës së Kultivuesve të Domateve të Kalifornisë, Golden State prodhon më shumë se 90% të domateve të përpunuara të vendit dhe pothuajse gjysmën e domateve të përpunuara globale.