Vendosni fjalën kyçe....

Ministri pakistanez pas përmbytjeve: Fatkeqësia do të na kushtojnë më shumë se 10 miliardë dollarë


Ministri i planifikimit i Pakistanit thotë se vlerësimet e hershme tregojnë se përmbytjet shkatërruese që goditën vendin dhe morën mbi 1 mijë jetë njerëzish kanë shkaktuar të paktën 10 miliardë dollarë dëme.

Komenti i tij vjen pasi një tjetër ministër i qeverisë tha se një e treta e kombit të Azisë Jugore është zhytur në ujë.

Të hënën Pakistani mori një ndihmë prej 1.1 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), shkruan BBC.

Këto para kanë për qëllim të ndihmojnë ekonominë dhe të shmangë dështimin e borxheve të saj.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat historikë të musonit kanë vrarë të paktën 1 mijë e 136 njerëz dhe kanë prekur më shumë se 33 milionë, mbi 15% të popullsisë së vendit.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë rrugët, të mbjellat, shtëpitë, urat dhe çdo infrastrukturë tjetër.

“Unë mendoj se do të jetë i madh. Deri më tani, është shumë herët, por vlerësimi paraprak është se është i madh, është më i madh se 10 miliardë dollarë.”- i tha agjencisë së lajmeve Reuters ministri i planifikimit i Pakistanit, Ahsan Iqbal.

Iqbal tha se vendi do të përballet me mungesa serioze ushqimore në javët dhe muajt e ardhshëm dhe besonte se përmbytjet ishin më të këqija se ato që goditën Pakistanin në vitin 2010, rasti më vdekjeprurës në historinë e vendit që la më shumë se 2 mijë njerëz të vdekur.

Ai u bëri thirrje gjithashtu vendeve më të pasura që të ndihmojnë financiarisht Pakistanin, pasi ai tha se ishte viktimë e ndryshimeve klimatike, të cilat ishin shkaktuar nga “zhvillimi i papërgjegjshëm i botës së zhvilluar“.