Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja belge: BE-ja mund të përballet me 5-10 dimra të tmerrshëm pa gaz


Ministrja e Energjisë e Belgjikës ka paralajmëruar se vendet e BE-së do të përballen me pesë deri në 10 dimra të tmerrshëm nëse nuk bëhet asgjë për të ulur çmimet e gazit natyror.

Thirrjet po shtohen për të vendosur një kufi në mbarë BE-në mbi çmimin e gazit dhe shkëputjen e tij nga çmimi i energjisë elektrike.

Shtetet e BE-së janë duke u përballur me rritje të mëdha të çmimeve të energjisë që kur furnizuesi kryesor i gazit Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke shkaktuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Vendet që mbështesin Ukrainën po përpiqen të shkurtojnë importet e gazit dhe naftës ruse.

Rusia, e cila furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar, i ka kufizuar furnizimet.

Ministrja belge e Energjisë Tinne Van der Straeten shkroi në Twitter se çmimet e gazit në Evropë duhet të ngrijnë urgjentisht, duke shtuar se lidhja midis çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike është artificiale dhe duhet të reformohet.

“Pesë deri në 10 dimrat e ardhshëm do të jenë të tmerrshëm nëse nuk bëjmë asgjë.”– tha ajo. “Ne duhet të veprojmë në burim, në nivel evropian dhe të punojmë për të ngrirë çmimet e gazit.”

Çmimet e energjisë elektrike kanë qenë gjithashtu në rritje në Evropë dhe kanë arritur nivele rekord këtë javë.

“Ne duhet të ndalojmë këtë çmenduri që po ndodh tani në tregjet e energjisë.”- tha kancelari i Austrisë Karl Nehammer.

Ai theksoi se çmimet e energjisë elektrike duhet të ulen, duke i bërë thirrje BE-së të shkëputë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.

“Ne nuk mund të lejojmë që Putin të përcaktojë çmimin evropian të energjisë elektrike çdo ditë.”– shtoi ai sipas BBC.

Gazi natyror ende përdoret gjerësisht për të prodhuar energji elektrike. Për shkak se çmimet e gazit janë rritur, kjo kushton më shumë.

Në mënyrë domethënëse, ky çmim përdoret kur blihet energji elektrike me shumicë edhe kur vjen nga burime shumë më të lira të rinovueshme.