Vendosni fjalën kyçe....

Johnson fajëson Putinin për krizën e kostos së jetesës në Britani: Ai e di këtë dhe i pëlqen


Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson, fajësoi të dielën për krizën në rritje të kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar, presidentin rus Vladimir Putin dhe luftën e tij të vazhdueshme kundër Ukrainës.

Në një artikull për Daily Mail, Johnson tha se presidenti rus gjeti gëzim duke ditur se jeta e shumë britanikëve do vështirësohej.

“Ishte pushtimi i Putinit në Ukrainë këtë shkurt ai që tronditi tregjet e energjisë. Është lufta e Putinit që po u kushton konsumatorëve britanikë.” – shkroi Johnson, i cili së shpejti do zëvendësohet si kryeministër i Partisë Konservatore pas një sërë skandalesh.

“Kjo është arsyeja pse fatura juaj e energjisë po dyfishohet. Kam frikë se Putini e di këtë. Atij i pëlqen. Dhe ai dëshiron që ne të shtrëngohemi.” – shtoi ai.

Sipas Johnson, Putin beson se me afrimin e dimrit, politikanët evropianë do zbusin pozicionin e tyre ndaj presidentit rus, do lehtësojnë sanksionet për luftën dhe ‘do lypin naftën e gazin rus’.

Johnson pranoi se shumë njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do vuanin si rezultat i krizës së kostos së jetesës, por siguroi publikun se pasardhësi i tij do ofronte mbështetje financiare dhe se Britania do të dilte e begatë sapo të përfundonte kriza.

“Britania do dalë më e fortë dhe më e begatë se pala tjetër. Ne kemi më shumë se mjaftueshëm elasticitet për të qëndruar për muajt në vazhdim. Ne e kemi treguar këtë më parë.” – shtoi ai.

Të premten, rregullatori i energjisë Ofgem rriti kufirin e çmimit të energjisë në 3,549 stërlina (4,169 dollarë). Si rezultat, mijëra familje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë zhytur në pasiguri financiare për shkak të rritjes së faturave të energjisë.

Në përgjigje të krizës, sindikatat nga sektori i transportit në sektorin ligjor kanë nisur një sërë grevash që të kujtojnë dimrin e pakënaqësisë së viteve 1970, kur Britania u përball me një krizë të ngjashme.