Vendosni fjalën kyçe....

Rusia bllokon marrëveshjen e traktatit bërthamor për shkak të klauzolës mbi Ukrainën


Rusia ka bllokuar miratimin e një deklarate të përbashkët nga një konferencë e Kombeve të Bashkuara për çarmatimin bërthamor.

Traktati i Mospërhapjes Bërthamore, i cili rishikohet nga 191 nënshkruesit e tij çdo pesë vjet, synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore.

Rusia kundërshtoi një draft tekst duke përmendur “shqetësimin e madh” mbi aktivitetet ushtarake rreth centraleve bërthamore të Ukrainës, në veçanti Zaporizhzhia.

Pjesëmarrësit në rishikimin e fundit në vitin 2015 gjithashtu nuk arritën një marrëveshje. Takimi i vitit 2022, i cili duhej të ishte mbajtur në vitin 2020, u vonua për shkak të pandemisë Covid-19. Dështimi për të rënë dakord për një deklaratë të përbashkët pasoi një konferencë katër-javore në Nju Jork.

Ministrja e Jashtme Australiane Penny Wong tha se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga mungesa e marrëveshjes.

“Rusia pengoi përparimin duke refuzuar të bëjë kompromis për tekstin e propozuar të pranuar nga të gjitha shtetet e tjera.”– tha ajo sipas BBC-së.

Përfaqësuesja e SHBA-së, ambasadorja Bonnie Jenkins, tha se SHBA-ja “ndjen keqardhje të thellë për këtë rezultat, dhe aq më tepër për veprimet e Rusisë që na çuan këtu sot”.

Rusia ishte kundër një pjese të tekstit ku përmendej termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia-s, të cilin Rusia e kapi në fillim të luftës në Ukrainë.

The Guardian shkruan se paragrafi në draftin përfundimtar të tekstit theksoi “rëndësinë kryesore të sigurimit të kontrollit nga autoritetet kompetente të Ukrainës të objekteve bërthamore … siç është termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia”.

Delegacioni rus ishte i vetmi që foli kundër tekstit të rënë dakord, por fajësoi Ukrainën dhe “mbrojtësit” e saj për prishjen e konferencës, duke i quajtur negociatat një “lojë të njëanshme“. Pasi dha deklaratën e tij, delegacioni rus u largua nga dhoma e OKB-së.

Përfaqësuesi i Rusisë, Igor Vishnevetsky, tha se draft tekstit përfundimtar i mungonte “ekuilibri“.

“Delegacioni ynë ka një kundërshtim kyç për disa paragrafë që janë haptazi politikë në natyrë.”– tha ai sipas BBC-së, duke shtuar se edhe vendet e tjera nuk u pajtuan me tekstin.

Dokumenti përfundimtar kishte nevojë për miratimin e të gjitha vendeve në konferencë. Një numër vendesh, përfshirë Holandën dhe Kinën, shprehën zhgënjim që nuk ishte arritur asnjë konsensus.

Holandezët thanë se ishin “të kënaqur me diskutimet e dobishme“, por “shumë të zhgënjyer që nuk kemi arritur konsensus”.

Ambasadori i Kinës, ndërkohë tha se pavarësisht mungesës së marrëveshjes, procesi ishte “një praktikë e rëndësishme e sigurisë së përbashkët dhe multilateralizmit të vërtetë”.

Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore shprehu keqardhjen që “në një vit kur një shtet i armatosur me armë bërthamore pushtoi një shtet të armatosur jobërthamor, një takim i pothuajse të gjitha vendeve në botë dështoi për të ndërmarrë veprime për çarmatimin bërthamor”. Ndërsa Shoqata e Kontrollit të Armëve me bazë në Uashington tha se konferenca përfaqësonte një “mundësi të humbur për të forcuar traktatin dhe sigurinë globale”.

Traktati i Mospërhapjes, i mbështetur nga 190 vende në vitin 1970, angazhon vendet që e nënshkruan – duke përfshirë SHBA-në, Rusinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën – të reduktojnë rezervat e tyre dhe të ndalojnë të tjerët të marrin armë bërthamore.

Javën e kaluar, termocentrali Zaporizhzhia u shkëput përkohësisht nga rrjeti elektrik, duke rritur frikën për një fatkeqësi të mundshme rrezatimi.

Ushtria ruse mori kontrollin e uzinës, që është njëkohësisht centrali bërthamor më i madh në Evropë, në fillim të marsit, por ai ende po operohet nga stafi ukrainas në kushte të vështira.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), pritet të organizojë një udhëtim në uzinën e Zaporizhzhia në ditët në vijim për të inspektuar objektet atje.