Vendosni fjalën kyçe....

Borxhet e prapambetura, OSHEE arkëtoi 52 milionë euro në 6-muajt e 2022


Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka arkëtuar për janar-qershor 6.3 miliardë lekë apo rreth 52 milionë euro në zërin që njihet si arkëtime nga faturat e viteve të kaluara.

Këto janë detyrime të prapambetura ndër vite mes bizneseve, familjarëve dhe institucioneve publike dhe që kanë hyrë në një skemë shlyerjeje me aktmarrëveshje me OSHEE.

Të dhënat zyrtare të raportuara nga Operatori i Shpërndarjes pranë Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se nga arkëtimet totale të 6 mujorit që janë 40 miliardë lekë shuma e mbledhur nga detyrimet e prapambetura të viteve të kaluara është rreth 15 për qind. Stoku i borxhit pranë OSHEE vijon të mbetet ende i lartë duke shënuar herë pas here edhe rritje për shkak të moshlyerjes në kohë të detyrimeve në faturat korrente të grupeve të caktuara si biznese apo institucione.

Nga totali prej 40 miliardë lekësh 18.6 për qind i përkasin faturave të arkëtuara për faturat e tjera të vitit aktual që do të thotë, janë fatura që nuk janë paguar brenda afatit 30 ditor të muajit korrent por më vonë. Ndërkohe që 20.6 miliardë lekë kanë ardhur në këto 6 muaj nga pagesa e faturave korrente.

Në vitin 2014 qeveria nisi atë që njihet si reforma në sektorin e energjisë duke tentuar të ulte humbjet përmes ndërprerjes së lidhjeve të jashtëligjshme si dhe mbledhjen e detyrimeve të prapambetura me forcë. Kjo bëri që shumë familjarë apo biznese të hynin në skemën e prezantuar në atë kohë që parashikonte shlyerjen e detyrimit në mënyrë të menjëhershme duke përfituar reduktim të kamatëvonesave.

Në atë kohë për familjet do të vendosej nnjë minimum pagese që do të ishte edhe më e reduktuar për familjet që ishin në ndihmë ekonomike. Për biznesin këstet parashikonin si fillim një shtrirje kohore mes 25-144 këste duke u dhënë atyre mundësi që të paguanin borxhin e akumuluar ndër vite.

Në qershor 2022 stoku i detyrimeve arriti në total 79.9 miliardë lekë ku për familjarët ka vijuar tendencën rënëse, për insitucionet jobuxhetore atë rritëse me 18 miliardë dhe për bizneset ka pësuar një rritje të lehtë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor