Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti Portual i Durrësit: Anulohet lundrimi drejt Ankonës, alternativat që mund të zgjedhin qytetarët që kishin planifikuar udhëtimin


Lundrimi i planifikuar për sot nga Durrësi në Ankona është anuluar për shkak të një avarie që ka pësuar trageti “AF MARINA”. Lajmi është konfirmuar nga Autoriteti Portual i Durrësit, i cili ka ofruar disa alternativa për qytetarët që kishin planifikuar këtë udhëtim.

Ata mund të zgjedhin të udhëtojnë sot drejt Barit nga ora 01.00 dhe në kohën e kryerjes së check-in, do t’u rimbursohet diferenca e tarifës që vjen si pasojë e ndryshimit të destinacionit. Biletat mund t’i shtyhen automatikisht për një ditë tjetër ose mund të zgjedhin të marrin 100% të vlerës së biletës (nëse nuk udhëtojnë).

Njoftimi i Autoritetit Portual Durrës:

Njoftojmë të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar lundrimin e tyre nga Porti i Durrësit drejt Ankonës (Itali) pasditen e sotme se ky lundrim NUK do të realizohet për shkak të një avarie që ka pësuar trageti “AF MARINA”(në Ankona).

Riparimi i defektit është bërë i mundur mëngjesin e sotëm dhe për rrjedhojë nisja nga Ankona është bërë me disa orë vonesë.
Kompania “Adria Ferries” ka vendosur që nisja e ditës së sotme Durrës Ankona , ora 17.00 ,të anullohet dhe 483 pasagjerët me 146 autvetura të nisen për Bari me tragetin “AF Marina”.

Kompania “Adria Ferries” ka aktivizuar procedurën për asistencë ndaj pasagjerëve sipas normatives UE 1177.

Pasagjerët po njoftohen për ndryshimin e udhetimit, dhe mund të zgjedhin sipas dëshires:
– Të udhëtojnë sot drejt Barit ora 01.00 dhe në kohën e kryerjes së check-in, do t’u rimbursohet diferenca e tarifes që vjen si pasojë e ndryshimit të destinacionit,
– Biletat t’i shtyhet automatikisht për një ditë tjetër,
– Të marrin 100% të vlerës së biletes (nëse nuk udhëtojnë).