Vendosni fjalën kyçe....

Burri i Nancy Pelosit dënohet me 5 ditë burg, drejtoi mjetin në gjendje të dehur dhe shkaktoi një aksident


Bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, është dënuar me pesë ditë burg pasi u deklarua fajtor për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur.

Paul Pelosi pranoi se kishte qenë nën ndikimin e alkoolit kur përplasi Porsche-n e tij në Napa County, Kaliforni, në maj të vitit 2022.

82-vjeçari u arrestua më 28 maj dhe më vonë u akuzua për drejtimin e mjetit nën ndikim e alkolit dhe shkaktimin e lëndimit të një shoferi tjetër. Ai kishte një nivel të alkoolit në gjak mbi 0.08%.

Ai nuk do të vuajë më burgim sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Siç shkruan BBC, nata që ai kaloi në burg pas aksidentit të 28 majit do të llogaritet sa për dy ditë. Dy ditë të tjera u pushuan për sjellje të mirë dhe dita e fundit do të shërbehet duke bërë tetë orë shërbim në komunitet.

Pelosi gjithashtu duhet të shërbejë tre vjet shërbim prove, kërkohet të ndjekë një kurs tre mujor për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe duhet të paguajë rreth 7 mijë dollarë si kompensim.

Ai nuk do të humbasë patentën e tij të drejtimit, por do t’i kërkohet të përdorë një pajisje në makinën e tij që kërkon një test alkooli përpara se motori të fillojë.

Aksidenti i Paul Pelosit në Maj

Përplasja e 28 Majit ndodhi gjatë natës në Oakville, Kaliforni, teksa ai u largua nga shtëpia e një miku të vjetër dhe donatori demokrat.

Sipas një raporti të policisë, ai përplasi Porsche-n e tij të zi me Jeep-in e një shoferi tjetër pranë shtëpisë së tij. Të dy automjetet janë shkatërruar. Siç shkruan Washington Post, shoferi dhe Pelosi në momentin e aksidenit e refuzuan trajtimin mjekësor. Por disa ditë më vonë, shoferi tjetër filloi të përjetonte dhimbje në shpatull dhe qafë, dhimbje koke dhe vështirësi në ngritjen e gjërave me krahun e djathtë. Për këtë arsye u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore.

Paul Pelosi është i martuar me zonjën Nancy Pelosi, demokraten më të vjetër në Kongresin Amerikan, që nga viti 1963.