Vendosni fjalën kyçe....

Të gjithë muzetë në Itali rrezikojnë mbylljen


Ndërsa numri i vizitorëve kthehet në nivelet para pandemisë, muzetë italianë mund të mos jenë në gjendje të përballojnë kërkesën dhe të detyrohen të mbyllen, paralajmëroi të enjten drejtori i ‘Galerisë Uffizi’ Eike Schmidt në një intervistë me agjencinë e lajmeve ANSA të Italisë.

Schmidt tha se nivelet e personelit në muzetë italianë janë në rënie të vazhdueshme dhe paralajmëroi se ‘pa një zgjidhje ne do i mbyllim të gjithë, madje edhe më të mëdhenjtë’. Ai këmbënguli se qeveria e ardhshme, që do vendoset pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 shtatorit, do duhet të ‘trajtojë dhe të zgjidhë menjëherë problemet e personelit të muzeve dhe vendeve të tjera të kulturës’ në Itali.

‘Galeria Uffizi’ në Firence është nën presion të veçantë, pasi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare muajin e kaluar, kur eko-aktivistët italianë ia dolën të kalojnë rojet e sigurisë dhe të ngjiten pas pikturës ‘Primavera’ të Sandro Botticelli-t për të kërkuar që vendi të braktisë karburantet fosile.

Pas pandemisë Covid-19, një sërë sektorësh të ekonomisë italiane kanë pësuar mungesë stafi. Problemi ka prekur turizmin, ku nuk janë regjistruar punëtorë të mjaftueshëm për punë sezonale për të përmbushur kërkesën në rritje.

Sipas vlerësimeve të bëra nga Ministri i Turizmit Massimo Garavaglia, Italisë pritet t’i mungojnë nga 70,000 deri në 350,000 punëtorë këtë sezon.

Garavaglia sugjeroi se mungesa rrjedh nga skema e sigurimeve shoqërore ‘të ardhurat e qytetarëve’ e prezantuar nga Lëvizja Pesë Yjet në pushtet në vitin 2019, e cila e bën më fitimprurëse të jesh i papunë sesa të përfshihesh në punë sezonale të pasigurt dhe të papaguar më pak.

Megjithatë, deputetët e Pesë Yjeve kanë argumentuar se çështja e vërtetë është pasiguria e punës dhe kontratat e parregullta. Për më tepër, një sondazh me 1,650 punëtorë sezonalë zbuloi se ‘pasiguria Covid’ ishte arsyeja kryesore që njerëzit u larguan nga puna në sezonin 2021.

Për të kundërshtuar mungesat e stafit në industrinë e turizmit, Garavaglia ka sugjeruar rritjen e numrit të vizave të disponueshme për punëtorët sezonalë që udhëtojnë nga jashtë dhe lejimin e njerëzve të mbajnë 50% të të ardhurave të qytetarëve të tyre gjatë punës verore.