Vendosni fjalën kyçe....

‘Klloun i SHBA-së’, ‘tradhtar’, ‘gënjeshtar’ – Kancelarin gjerman Scholz e presin me protesta (Video)


Kancelari gjerman Olaf Scholz u përball me një situatë të papritur teksa u prit me protesta të forta ndërsa po fliste në një takim me qytetarët në qytetin lindor të Gjermanisë Neuruppin.

Si partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Partia e Majtë socialiste kishin bërë thirrje për protesta për shtrënjtimin e kostos së jetesës në mes të inflacionit në rritje.

Scholz po fliste brenda një zone të rrethuar në një shesh të qytetit së bashku me një deputet nga socialdemokratët e tij. Të ftuarit, disa prej të cilëve u ftuan për t’i bërë pyetje kancelares, u kontrolluan nga forcat e sigurisë përpara hyrjes. Ata përfshinin përfaqësues të shërbimeve lokale, Kryqin të Kuq e një shoqatë banesash

Rreth 300 persona ishin mbledhur jashtë gardhit pas thirrjeve nga partitë opozitare AfD dhe Partia e Majtë – që të dyja gëzojnë nivelet më të larta të mbështetjes në Gjermaninë lindore – për të demonstruar.

Disa mbanin në duar tabela duke i bërë thirrje kancelarit Scholz që të dorëhiqej mes zhurmave dhe thirrjeve ‘tradhtar i popullit’, ‘gënjeshtar’, ‘klloun i amerikanëve’ dhe ‘humbës’.

Sipas gazetës lokale Märkische Oderzeitung, duartrokitjet e dëgjuesve për kancelarin u mbytën nga të bërtiturat.

Gjatë fjalës së tij kancelari përsëriti se ai do paraqesë një paketë tjetër në ditët e ardhshme për të ndihmuar njerëzit të përballen me kostot e larta të energjisë dhe inflacionin në rritje.

Scholz foli me një sistem altoparlanti ndërsa nuk e pati aspak të lehtë që të dëgkohej në sfondin e zhurmës nga jashtë barrierave.

Koalicioni qeverisës ka vendosur deri më tani rreth 30 miliardë euro ndihmë financiare për qytetarët, tha ai, ndërsa pranoi se ndihma nuk ka përfunduar ende.