Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Do hapim garën për transformimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe stadiumit “Selman Stermasi”


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se do të hapë një garë për rikonstruksonin e Pallatit të Sportit Sportit “Asllan Rusi” dhe stadiumin “Selman Stermasi”.

 “Ne do të hapim disa gara për të transformuar hapësira jashtëzakonisht të çmuara sportive të qytetit tonë. Gara e parë do të jetë për Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’. Nuk mund të kemi një hangar avionësh, që çfarë bie jashtë futet brenda, ashtu siç kishim një teatër prej tallashi, s’mund të kemi një pallat sporti prej kompensate. Pallati i Sportit duhet të jetë tamam një arenë.

Siç kemi ‘Arena Kombëtare’ për lojërat me këmbë, do të jetë dhe ‘Arena Kombëtare’ për lojërat me dorë, volejbollin dhe për basketbollin. Nesër mund të përdoret edhe për koncerte, siç ndodh kudo në botë. Ne me një mini investim që kemi bërë tek Parku Olimpik te salla ‘Feti Borova’, i ka dhënë jetë qytetit. Imagjinoni të kemi një arenë profesioniste kombëtare, po sidomos në funksionon të qytetit të Tiranës tek ‘Asllan Rusi’.”– tha Veliaj ndërsa inspektonte Pistën e re Olimpike të Atletikës në Parkun e Liqenit Artificial.

Ai shtoi se “Selman Sermasi” nuk do jetë vetëm një stadium për futbollin: “Do sigurohemi që siç ‘Arena Kombëtare’ është kthyer në një ‘akupunkturë’, pra në një pineskë në ‘trupin’ e qytetit që ka sjellë më shumë biznese, ka rritur vlerën e pronës në të gjithë këtë hapësirën buzë liqenit, te Korpusi, ashtu dhe ‘Selman Stermasi’ mund të transformohet në një hapësirë fantastike me të njëjtën skemë siç funksionoi ‘Arena Kombëtare’, që me të gjithë kundërshtitë sot është një histori suksesi.”