Vendosni fjalën kyçe....

Vasili: Tenderat e rrugëve janë shndërruar në vjedhje skandaloze, vetëm SPAK nuk i sheh


Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaron se tenderët e rrugëve qofshin ndërtim apo mirëmbajtje janë shndërruar në një vjedhje skandaloze ditën për diell.

Sipas tij, tenderët, që jepen me 99% e kusur të vlerës janë bërë një vjedhje e përditshme; kosto ndërtimi rrugësh, që trefishohen janë fakt që ulërin.

Vasili thekson se i vetmi institucion që nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk vepron është SPAK-u.

Postimi i plotë:

Batërdinë e vjedhjes se ASHR me tenderët e rrugëve vetëm SPAK-u nuk e sheh!
Për të qeshur e për të qarë vërtet, që edhe ish-deputetë rilindas e thonë vete edhe me shkrim këtë lemerinë e vjedhjes ashiqare me tenderat e rrugëve.

Por babëzia e hajdutëve s’ka të sosur.
Tenderët e rrugëve qofshin ndërtim apo mirëmbajtje janë shndërruar në një vjedhje skandaloze ditën për diell.
Tenderët, që jepen me 99% e kusur të vlerës janë bërë një vjedhje e përditshme.
Kosto ndërtimi rrugësh, që trefishohen janë fakt që ulërin.

Tendera ku km rruge është deri dhjetë herë më i lartë se rrugët në Evropë është një realitet vjedhjeje që as qeveria s’ka fuqi ta kundërshtojë.

Edhe Kompanitë kliente të dashura të qeverise me emër e mbiemër i di gjithë Shqipëria, i di se si marrin tendera me 99, 7% të çmimit, që marrin koncesione dhe s’bëjnë asgjë dhe që vetëm ndajnë sheshit paratë me qeverinë.

I vetmi institucion që nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk vepron është SPAK-u.

E vetmja garanci, që kjo vjedhje monstruoze me rrugët vazhdon përditë para syve të të gjithëve është: pandëshkueshmëria, që vjen sepse SPAK-u nuk vepron.