Vendosni fjalën kyçe....

“Drejtësi për Jonadën”-Protestuesit paralajmërojnë peticion për shkarkimin e dy ministrave (Foto)


Është mbyllur protesta e dytë e organizuar për të kërkuar “drejtësi për Jonadën” të miturën që u vra nga skafi i drejtuar nga efektivi i policisë në Himarë më 2 gusht.

Qytetarët e nisën protestën te Ministria e Brendshme për ta mbyllur te Kryeministria me thirrjet për shkarkimin dy ministrave të kabinetit Rama.

Edhe sot qytetarët kishin marrë edhe fëmijët në protestë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e vogëlueshes.

Përpara kryeministrisë qytetarët u ulën në bulevard e në shesh me pankarta në duar.

Ata madje provuan të telefonin drejtpërdrejt Edi Ramën por në anën tjetër të telefonit nuk u përgjigj askush. Qytetarët provuan që përmes telefonit t’i kërkonin dorëheqjen e dy ministrave Çuçi e Kumbaro.

Pas kësaj përpjekje ata paralajmëruan firmosjen e peticionit për shkarkimn e dy ministrave.

A duhet të mbahet përgjegjësi nga dikush në këtë vend. Ne do vazhdojmë duke kërkuar drejtësi për Jonadën. Ne do të ndërmarrim një peticion në gjithë Shqipërinë, online dhe fizikisht duke i kërkuar kryeministrit të shkarkojë Kumbaron dhe Çuçin. Këtë e bëjmë për Jonadat e tjera”, tha e afërmja e 7-vjeçares.

Në shenjë e proteste ata lyen edhe me bojë të kuqe muret e Ministrisë së Brendshme.

Ndryshe nga protesta e parë, pjesëmarrja e ditën e sotme ishte më e pakët në numërt. Gjithashtu në këtë protestë nuk morrën pjesë as drejtuesit e partive të opozitës si herën e parë.