Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi poston foton e dosjeve që ka dorëzuar në SPAK: Kryeni hetime larg joshjeve dhe intimidimeve


Monika Kryemadhi ka publikuar në rrjetet sociale, një foto ku duken dosjet që ajo ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale me fakte e të dhëna nga dokumente zyrtare që provojnë sipas saj shkeljet dhe evazionin fiskal të kryer përmes skemës së inceneratorëve.

Reagimi i Kryemadhit vjen një ditë pas intervistës në media të kreut të SPAK, Arben Kraja që deklaroi se në skandalin me inceneratorët janë të përfshira shumë institucione.

Kryemadhi kërkon që SPAK të kryejë hetime larg intimidimeve dhe joshjeve.

Çdo ditë që kalon, paratë që mund të shkonin për rritje pagash dhe pensionesh, shkojnë për llogari të zyrtarëve të qeverisë, përmes skemës së inceneratorëve.

Çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëve, me paratë e gjakut të shqiptarëve.

E përmes kësaj vjedhje të përditshme, pushteti tenton të korruptojë, manipulojë e kontrollojë edhe çdo qelizë tjetër në vend, që të vijojë i pashqetësuar vjedhjen.

Këto në foto janë dosjet e dërguara në SPAK përpara disa javësh, ku faktohet me të dhëna nga dokumente zyrtare, se vetëm evazioni fiskal i skemës së inceneratorëve kap vlerën 30 milionë dollarë, ndërsa me skema të ngjashme si inceneratorët, llogaritet një evazion fiskal 189 milionë dollarë.

Ndërkohë, me fakte, shkresa dhe analizë profesionale, janë evidentuar më parë edhe të gjitha shkeljet proceduriale të zyrtarëve të inceneratorëve.

Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë çështje.

Zbardhja e inceneratorëve duke mos mbyllur sytë ndaj fakteve, duke kryer hetime me integritet larg intimidimeve apo joshjeve, si dhe ndjekja e parasë së korrupsionit, është pikënisje e një drejtësie të vërtetë e të pavarur në Shqipëri”-shkruan Kryemadhi.