Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano del vetë në terren pas ngjarjes në Himarë: Jam i vendosur, po e drejtoj vetë operacionin për mjetet lundruese


Kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dalë vetë në terren në një operacion për verifikimin e mjeteve lundruese, një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Himarë.

Siç ka bërë me dije ai, që prej mëngjesit të sotëm në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Gjatë fjalës së tij në një videomesazh, Nano u shprehu ngushëllimet familjarëve të vogëlushes që humbi jetën dje në plazhin e Potamit në Himarë, nërsa theksoi se ishte i vendosur në operacionin e nisur.

“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det.

Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

Dje, pas analizës së kryer nga grupi i inspektimit, kam marrë masë për shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë të urdhëruara po nga unë, disa ditë më parë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ky inspektim do të vazhdojë, analiza do të vazhdojë dhe do të shtrihet edhe më tej.

 Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror.”– tha Nano.

Të përfshira në operacion janë: Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.  

Deri në këto momente, bëhet me dije në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).