Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj pas reagimeve të Ramës: Përveç tragjedisë, shqiptarëve u duhet të përballen dhe me cinizmin dhe arrogancën e kryeministrit


Enkelejd Alibeaj ka kritikuar kryeministrin Edi Rama lidhur me qëndrimet e tij mbi ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme, ku humbi jetën 7-vjeçarja në plazhin e Potamit në Himarë.

Në një postim në Facebook, Alibeaj thotë se krahas tragjedisë së familjes, qytetarët shqiptarë duhet të përballen edhe me cinizmin dhe arrogancën e kryeministrit.

“Tragjedia e familjes që humbi dje vajzën e mitur është ende një plagë e hapur për të gjithë shqiptarët, që përtej dhimbjes së papërshkruar për ngjarjen që i ka lënë të shokuar, u duhet të përballen dhe me cinizmin dhe arrogancën e kryeministrit.

Në një vend ku jeta nuk ka më asnjë vlerë, kur sigurinë e cenojne ata që kanë për detyrë ta ruajnë, cdo shkarkim nga detyra në hallkat lokale të përgjegjësisë shtetërore nuk është zgjidhje e problemit. Përgjegjësia kryesore mbetet e atyre që kanë krijuar dhe mbajnë në këmbë sistemin ku të inkriminuarit dhe të korruptuarit e niveleve të ulëta reflektojnë asgjë më shumë se sjelljen e shefave të tyre: arrogancë,  papërgjegjshmëri dhe pandjeshmëri ndaj njerëzve të thjeshtë dhe pa pushtet.”– shkruan Alibeaj.

Më tej deputeti demokrat shkruan se ngjarja e Himarës është dëshmi se qeverisë nuk u interesojnë më qytetarët.

“Në krizën e përgjithshme që ka përfshirë Shqipërinë, ngjarja e djeshme është dëshmi e qartë se kësaj qeverie nuk i intereson jeta e qytetarëve. Përballë mungesës së vullnetit, paaftësisë dhe arrogancës së pushtetit qëndrojnë qytetarët. Të cilët në shumicë dërrmuese sot kërkojnë largimin e kreut të këtij sistemi që po i bën jetët e pasigurta duke bërë që mijëra shqiptarë ta shohin të ardhmen larg vendit të tyre.”– përfundon Alibeaj.