Vendosni fjalën kyçe....

Arkeologët spanjollë planifikojnë shpëtimin e anijes fenikase 2500-vjeçare


Një grup arkeologësh spanjollë kanë bërë diagrame të hollësishme të një anijeje fenikase 2500-vjeçare për të ndihmuar në gjetjen e mënyrës më të mirë për ta nxjerrë atë nga deti përpara se një stuhi ta shkatërrojë atë përgjithmonë.

‘Mazarron II’ e gjatë tetë metra, e emëruar sipas komunës në rajonin juglindor spanjoll të Murcias, ku u gjet në brigjet e detit, është një pjesë unike e inxhinierisë antike detare.

Nëntë teknikë nga Universiteti i Valencias kryen 560 orësh zhytje për më shumë se dy javë në qershor për të regjistruar të gjitha çarjet dhe krisjet e anijes, e cila ndodhet 60 metra nga Playa de la Isla në Mazarron.

Më vonë këtë vit, ekspertët do rekomandojnë si të mbrohet dhe të merren rrënojat, ndoshta që verën e ardhshme.

Mund të nxirret pjesë-pjesë duke përdorur çarjet ekzistuese dhe të rimontohet pas daljes nga uji, tha arkeologu Carlos de Juan nga Universiteti i Valencias, i cili bashkërendoi projektin.

“Është më e arsyeshme të shpëtosh anijen, ta trajtosh atë dhe ta ekspozosh në një muze që njerëzit ta shijojnë atë, në vend që të shqetësohesh sa herë që arrin një stuhi e madhe”, tha ai për Reuters.

Fenikasit, nga zonat bregdetare të Libanit dhe Sirisë së sotme, krijuan koloni dhe pika tregtare në të gjithë Mesdheun nga viti 1500 para Krishtit deri në vitin 300 para Krishtit.

Pasi u mbyt, anija mbeti e varrosur në sediment për më shumë se dy mijëvjeçarë derisa ndryshimet në rrymat detare për shkak të ndërtimit në breg e zbuluan atë pothuajse 30 vjet më parë.

Tani shtrihet nën rreth 1.7 metra (5.6 ft) ujë mesdhetar të pastër kristal, i rrethuar nga thasë rëre dhe një strukturë metalike e ndërtuar për mbrojtje. Struktura po zhytet në rërë me një ritëm më të shpejtë se sa rrënojat dhe kërcënohet ta shtypë atë, kështu që është dashur të hiqet pjesërisht.