Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano reagon pas aksidentit që i mori jetën 7-vjeçares në Himarë: Përjashtojmë nga radhët e Policisë Arjan Tasen



Pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e sotme në Himarë, ka ardhur reagimi nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues. Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi.

Ndërkohë, Drejtor Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja. Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Ky reagim vjen pasi mesditën e sotme një skaf i mori jetën një vajze 7-vjeçare. Drejtuesi i mjetit lundrues ishte ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase. Ai rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë.

Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës akuzohej për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës, pas një aksioni antidrogë në vitin 2020.

Por ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës në 27 prill 2022 dhe u rikthye në detyrë tjetër, këtë radhë si Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.

Gjithashtu, bëhet me dije se  Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

“Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.”- vijon më tej njoftimi.