Vendosni fjalën kyçe....

Bota është ‘një hap larg asgjësimit bërthamor’ – Shefi i OKB-së (Video)


Rritja e tensioneve gjeopolitike në mbarë botën e ka vënë popullsinë globale në rrezikun më të madh për t’u zhdukur nga armët bërthamore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

“Sot, njerëzimi është në zgrip, mjafton një llogaritje e gabuar për të shkuar drejt asgjësimit bërthamor.” – tha Guterres të hënën në konferencën e rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes (NPT) në Nju Jork. Ai u kërkoi kombeve të botës që të ‘vënë njerëzimin në një rrugë të re drejt një bote pa armë bërthamore’.

Shefi i OKB-së pohoi se konfliktet në mbarë globin, shkeljet e të drejtave të njeriut, kriza klimatike dhe pandemia Covid-19 ‘e kanë vënë botën tonë nën stresin më të madh që është vërejtur ndonjëherë’. Rreziqet e luftës bërthamore janë në nivelin më të lartë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, shtoi ai.

“Njerëzimi rrezikon të harrojë mësimet e nxjerra në zjarret e tmerrshme të Hiroshimas dhe Nagasakit.” -tha Guterres.

“Tensionet gjeopolitike po arrijnë lartësi të reja. Konkurrenca është duke mposhtur bashkëpunimin. Mosbesimi ka zëvendësuar dialogun dhe përçarja ka zëvendësuar çarmatimin.” – shtoi ai.

NPT duhet të forcohet për ta ;bërë atë të përshtatshme për botën shqetësuese rreth nesh’, tha Sekretari i Përgjithshëm, duke përmendur konfliktin Rusi-Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe në Gadishullin Korean.

“Pothuajse 13,000 armë bërthamore tani mbahen në arsenale në mbarë botën. E gjithë kjo në një kohë kur rreziqet e përhapjes po rriten dhe parmakët për të parandaluar përshkallëzimin po dobësohen.”

Guterres u ankua që vendet po kërkojnë siguri duke investuar qindra miliarda dollarë për të grumbulluar ‘armë bërthamore që nuk kanë vend në planetin tonë’. Ai argumentoi se përpjekja për të zvogëluar rrezikun e shpërthimit të luftërave nuk është e mjaftueshme sepse ‘eliminimi i armëve bërthamore është garancia e vetme që ato nuk do përdoren kurrë’.

SHBA, i vetmi vend që ka përdorur bombë bërthamore në luftë, raportohet se shpenzoi 44.2 miliardë dollarë për armë të tilla në vitin 2021, duke tejkaluar 38.2 miliardë dollarë të shpenzuara nga tetë kombet e tjera të armatosura bërthamore së bashku. Kina renditet e dyta në shpenzimet bërthamore, me 11.7 miliardë dollarë, ndërsa Rusia ishte e treta me 8.6 miliardë dollarë.