Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç kërcënon Kosovën: Nëse nuk doni të ruani paqen, po ju them që Serbia do të fitojë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka komentuar para gazetarëve vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë në çështjen e dokumenteve të udhëtimit, i cili do të fillojë të zbatohet nga nesër.

Vuçiç tha se po u lutet shqiptarëve të Kosovës, komunitetit ndërkombëtar dhe serbëve nga Kosova që ta ruajnë paqen.

“Por, unë kërkoj edhe nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme dhe të mëdha që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të marrin parasysh ligjin ndërkombëtar dhe situatën në terren… Ne po bëjmë lutje për paqe dhe kërkojmë paqen.”- tha Vuçiç.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “Nëse ata nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them – Serbia do të fitojë.”

Sipas N1, gjatë fjalës së tij presidenti serb tha se Serbia “nuk ka qenë kurrë në një situatë më komplekse dhe më të vështirë sa është sot”.

Ai tha se regjimi në Prishtinë po përpiqet të përfitojë nga situata në botë, duke luajtur me kartën “Putin i madh urdhëroi Putinin e vogël, kështu Zelensky i vogël në personin e Albin Kurtit do të shpëtojë dikë dhe do të luftojë kundër hegjemonisë së madhe serbe”.

Deklaratat e Vuçiçit vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia. Ky dokument ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Ndërkaq, nga 1 gushti po ashtu të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund t’i riregjistrojë ato me targat RKS (Republika e Kosovës).