Vendosni fjalën kyçe....

Kokaina mes qymyrit në portin e Durrësit/ SPAK liron 11 pjesëtarët e ekuipazhit, inxhinieri rus bie në pranga për pornografi me të mitur


SPAK u ka kthyer pasaportat 11 pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes që u ndaluan tre muaj më parë në Portin e Durrësit, pas zbulimit të 59 kg kokainë në mes të ngarkesës me qymyr.

Mirëpo sipas “News 24”, në pranga ka përfunduar pjesëtari i 12 i ekuipazhit të anijes, shtetasi rus Grigory Gorbunov. Kjo sepse rusit i cili ishte inxhinier i dytë në anije, iu zbuluan në celular materiale pornografike me të mitur.

Dosja për 42-vjeçarin iu dërgua prokurorisë së Durrësit duke qenë se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar këtë vepër penale, ndërsa për arrestimin e tij u njoftua dhe ambasada ruse në Tiranë.

Vendimi për t’u kthyer pasaportat 11 të huajve, erdhi pasi SPAK përfundoi këqyrjen e telefonave celular të tyre ku nuk gjeti kontakte të tjerë apo të dhëna që i implikonin në trafikun ndërkombëtar të drogës.