Vendosni fjalën kyçe....

Davide Pecorelli: Jam gati të kthehem në Shqipëri dhe të përballem me burgun


Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, i cili alarmoi policinë shqiptare dhe atë italiane kur inskenoi vdekjen e tij në Pukë, thotë është gati të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me burgun.

Këtë deklaratë, Pecorelli e ka bërë në një intervistë për “La Nazione”. Ai në vendin tonë akuzohet për zjarrvënie të makinës dhe dhunim varresh, akuza jo shumë të rënda, por që mund ta çojnë atë pas hekurave. Por ai shprehet se është i gatshëm të vijë të kryejë dënimin, në rast se kjo i mundëson që më vonë të jetë një qytetar i lirë edhe në Shqipëri.

“Jam i gatshëm të përfundoj pas hekurave në Shqipëri. Dua të kthehem, aty kam lënë miq dhe vende që i dua. Nëse dënimi është i drejtë, unë do të paguaj për atë që më kontestohet.

Sidoqoftë tashmë u kam kërkuar falje të gjithëve atje, përfshirë kryetarin e bashkisë Pukë dhe komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime. Kur mbërrita në Tiranë në janar po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time, u përpoqa të bëja vetëvrasje, por siç e kam thënë, prifti që takova rastësisht më shpëtoi jetën. Atëherë ju e dini historinë, periudha në bashkësinë e priftërinjve në Medjugorje ishte thelbësore: Unë do t’u jem mirënjohës atyre përgjithmonë.

E kuptoj që është një zgjedhje e rëndësishme, por nëse burgu më jep mundësinë më pas që të jem qytetarë i lirë dhe në Shqipëri, atëherë jam gati për çdo gjë.”- është shprehur ai.

I pyetur nëse ka komunikuar me miqtë e tij në Vlorë, biznesmeni italian përgjigjet: “Shpesh dëgjohemi me njëri-tjetrin, në fillim nuk u besohej se cili ishte identiteti im i vërtetë, pastaj çdo herë ripërtërinin ftesën për t’u kthyer në ato anë.”

I pyetur se si ishte rikthimi në jetën e përditshme, Pecorelli shprehet se është ende në hapat e parë. Ai është pranë familjes, me katër fëmijët e tij. Ai shprehet se do i rikthehet përditshmërisë në punë, pasi të ketë rregulluar më parë disa gjëra. Pecorelli flet edhe për hapjen e një shoqate për të ndihmuar njerëzit si ai që kalojnë një krizë në punë.

Kujtojmë se Davide Pecorelli inskenoi zhdukjen e tij në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore.

Por 9 muaj më pas, më  17 shtator të këtij viti, ai u gjet shëndoshë e mirë.