Vendosni fjalën kyçe....

Rama njofton ndryshime në qeveri: Ikën Ahmetaj, Balluku zv.kryeministre, në vend të Zef Mazit kryenegociatore do jetë Majlinda Dhuka


Kjo javë ka nisur me ndryshime në kabinetin qeveritar. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajn, duke emëruar në vend të tij Belinda Ballukun.

Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën Belinda Balluku është emëruar zv.kryeministre e vendit. Ahmetaj largohet fare nga kabineti qeveritar dhe detyrën tjetër të tij si ministër shteti për Rindërtimin e merr Majlinda Dhuka.

Ndryshime ka edhe në çështjen e integrimit në BE, pasi kryenegociatori Zef Mazi është shkarkuar dhe në vend të tij është emëruar po Majlinda Dhuka.

“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.

Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.”- njofton Rama.

Këto ndryshime vijnë një ditë pasi presidenti i ri Bajram Begaj mori zyrtarisht detyrën dhe këto propozime të Ramës i janë drejtuar atij për t’i dekretuar.