Vendosni fjalën kyçe....

Nga historia e “arratisjes” së Ahmetajt, tek thirrjet për qytetarët dhe beteja me Ramën – Deklaratat e Berishës sot


Kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka dalë sot një deklaratë për mediat, ku komentoi ndryshimet në qeveri, ndërsa zbuloi sipas tij dhe “prapaskenat” e vendimit.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha tha se zv.kryeministri Arben Ahmetaj u shkarkua për aferën e inceneratorëve.

Kreu i aferës së Inceneratorëve është Rama

Kryeministri Rama sipas Berishës është kreu i aferës së Inceneratorëve.

“Sot njoftohet se Edi Rama për të larë duart me krimin e tij më të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar nga detyra Arben Ahmetajn.

Me këtë rast unë duke e konsideruar Arben Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një, dhe ky është Edvin Rama, Edi Rama.”- tha Berisha.

Kjo sepse sipas tij, në aferën e incenertorëve ai ka firmosur vetë në kundërshtim me ligjin, kontratën bazuar në procedurën e negociatave të mbyllura që e konsideron antiligjore.

Paratë për djegësat dolën nga fondi i emergjencave nga Këshilli i Ministrave

Berisha denoncon se paratë për këtë vjedhje kanë dalë pikërisht nga Fondi i Emergjencave të Këshillit të Ministrave me firmën e tij dhe në mënyrë të jashtëligjshme.

“Edi Rama në shkelje flagrante të ligjit dhe të barazisë së tenderave, i ka firmosur kontratën një kompanie e cila kishte zero eksperiencë në fushën e plehrave. Edi Rama është përgjegjësi numër një në vjedhjen monstruoze të aferës së djegësva sepse të nderuar zotërinj, për djegësin e Elbasanit dhe të Fierit, ministria e Mjedisit që u përdor në ekzekutimin e kësaj vujedhjeje, kishte në buxhetin e saj zero lekë. Paratë e djegësave u morën nga Fondi i Këshillit të Ministrave për Urgjencën, fond që në përputhje me ligjin e vendit përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrore dheb fatkeqësive natyrore.”– tha ish-kryeministri.

Ai shtoi se Rama e firmosi kontratën me procedurë të mbyllur në një kohë kur Agjencia e Prokurimeve Publike, me shkresë e kishte denoncuar më përpara si të paligjshme procedurën me negociata të mbyllura.

Vjedhja vetëm në inceneratorin e Tiranës shkon në 283 milionë euro

Mes të tjerash, Berisha shtoi se vetëm në Inceneratorin e Tiranës fatura ka shkuar në 283 milionë euro.

“Edi Rama ka pranuar se ka firmosur në mënyrë të paligjshme, por ka mohuar se njihte Gugalen, Zoton dhe Mërtirin, në një kohë kur në ligjeratën, apologjinë që i bënte vjedhjes së tij për inceneratorin e Elbasanit, ata ishin më të rëndësishmit në sallë.

Pra, ky është Edi Rama në raport me vjedhjen.

Duhet të informoj qytetarët se vjedhja në inceneratorin e Tiranës shkon, sipas KLSH, në 283 milionë euro.”- tha ai.

I dyti pas Ramës “Don Agaçio”

Berisha ka akuzuar Engjëll Agaçin si numrin dy që qëndron pas aferës së Inceneratorëve. Më pas shpjegon pse Agaçi është i dyti në këtë aferë.

“Arben Ahmetaj është strumbullar i vjedhjes monstruoze. Por para se të shkojmë te ai, dua të ndalem te i dyti pas Edi Ramës. Ai është mafiozi, që unë e kam quajtur Don Agaçio Dhuratmadhi.

Ky mafioz ka shkelur nga Kodi Penal, nenet e shpërdorimit të detyrës, e shkeljes së barazisë në tendera, e fshehjes së të ardhurave, e përfitimit të paligjshëm, korrupsionit pasiv, pastrimit të produkteve të veprave penale, moskallëzim krimi, etj.

Ai, në mënyrë më të papërgjegjshme, është promotor i aplikimit të procedurës me negociata të mbyllura.”– tha Berisha.

Më pas Berisha tha se Agaçi mashtroi kur tha se autoriteti kontraktues ka shpallur procedurën. Autoriteti kontraktues nuk ka shpallur asnjë procedurë, por e ka dhënë me negociata të mbyllura “si në shpellat e mafias” siç shprehet Berisha.

Rama e shkarkoi Ahmetajn që të arratiset

Berisha e komentoi shkarkimin e Arben Ahmetajt nga detyrat si zv.kryeministër dhe ministër i Rindërtimit.

Ai shprehet se Rama e shkarkoi Ahmetajn vetëm për të shpëtuar “lëkurën e tij”.

Më pas shtoi se Rama e shkarkoi Ahmetajn për ta lënë të lirë të arratiset nga vendi. Ndërsa kujtoi dhe një histori arratisjeje të Ahmetajt.

“Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil.

Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij.

Rama është kryeministri më hajdut i 110 viteve të fundit në Shqipëri, kryeministri më hajdut i rajonit dhe Europës.

Mund t’i bësh presion dhe t’ia mbyllësh gojën SPAK-ut të partisë, por shqiptarët dhe popullin opozitar, nuk do mundesh kurrë ta trysnish pa të dhënë vendin që meriton si një hajdut i papërmbajtur.

E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetajn, shko edhe prapa diellit. Por nuk do kesh shpëtim më. Kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje.”– tha Berisha.

Veliaj shkeli çdo ligj për mega-aferën e djegësave

Pas akuzave për kryeministrin Rama, Ëngjëll Agaçin dhe Arben Ahmetajn, Berisha u ndal dhe tek kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ai e akuzon Veliajn se s’ka lënë ligj pa shkelur për të realizuar këtë aferë.

“Erion Veliaj nuk ka lënë ligj pa shkelur për të bërë realitet vjedhjen monstruoze me Edi Ramën.

Ndaj gazetarë, ju bëj thirrje, harrojeni fjalën korrupsion, por të përdorim fjalën vjedhje, se ky është përkthimi i saktë i kësaj fjale në gjuhën shqipe.

Për të vjedhur Erion Veliaj, një vepër për të cilën duheshin firmat e të gjitha bashkive të qarkut të Tiranës, e ka firmosur vetëm ai, në kundërshtim me çdo ligj. I papërmbajtur në vjedhje.

Pa pyetur Këshillin Bashkiak, ai firmos për financimin prej 90 milionë euro të djegësit të Tiranës. Ai firmos edhe penalitete për bashkitë e tjera, nëse nuk u përgjigjen me ngarkesat e plehrave kompanisë së tij dhe Edi Ramës.”– tha Berisha.

Ai shtoi se Veliaj, prej pesë vitesh, u merr qytetarëve të Tiranës, pa TVSH, 28 euro për ton mbetjesh.

Ministren Balluku e quan “miss Hajnia”

Berisha ka sulmuar ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Ballukun, të cilën e ka quajtur “miss Hajnia”.

Sipas tij Balluku bën ndarjen e parave të vjedhura që kur ka nisur punën e saj në bashki me Edi Ramën dhe deri sot që është ministre.

Ai e quajti Ballukun ministren më të korruptuar e cila sipas tij do të zëvendësojë Ahmetajn, një tjetër të korruptuar.

“Kush e zëvendësoi strumbullarin e aferës së djegësve Arben Ahmetajn? A po e zëvendëson ministrja më e korruptuar në historinë e Shqipërisë, rajonit dhe Europës? Ajo ka një meritë të vetme: ndarjen e parave të vjedhura që kur punon në bashki me Edi Ramën gjer më sot.”- tha Berisha.

Sipas tij, Balluku ka shpenzuar 200 mijë euro për luksin në zyrë. Berisha shton: “Nuk është e rastit që ikën një superhajdut dhe kthehet miss Hajnia në zëvendësimin e tij.”

Thirrje qytetarëve

Ish-kryeministri gjatë kësaj deklarate nga selia blu u ka bërë thirrje qytetarëve të përgatiten për betejën përfundimtare ndaj qeverisë Rama.

“I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, të rinjve, pensionisteve të përgatitemi për një betejë përfundimtare me këta hajdutë që nuk kanë moral tjetër përveç tjetër vjedhjes dhe cinizmit ndaj jush.”- tha Berisha.

Më pas paralajmëroi kryeministrin Rama “bëhu gati se do përballesh me të gjithë forcën e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria shumë shpejt mund ti tregosh vendin SPAK-ut, ta trysnosh e shkelmosh por uraganin gjigand të protestës së shqiptarëve, prite se po të vjen.”