Vendosni fjalën kyçe....

Kandidatja për kreun e partisë konservatore në Britani thotë se është ‘rebele’: S’e pranoj ‘jo’-në si përgjigje


Kandidatja për lidere e Konservatorëve britanikë  dhe kryeministre e mundshme Liz Truss thotë se megjithëse nuk është ‘prezantuesja më e shkëlqyeshme’, ajo është një ‘grua që flet drejtpërdrejt nga Yorkshire’ e cila nuk e merr ‘jo’-në si përgjigje.

Në një intervistë me The Telegraph, Truss, e cila tani shërben si Sekretare e Jashtme, tha se e sheh veten si një kandidate ‘rebele’ që dëshiron ta bëjë Britaninë ‘fuqi në rritje’.

Premtimet e saj për më shumë se 30 miliardë stërlina ulje taksash si dhe plani i saj për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe qëndrimi antirus janë të njohura.

Megjithatë, ajo tha për The Telegraph se ka plane më të mëdha. E pyetur për inflacionin, Truss tha se do kryente një rishikim të urdhrit të Bankës së Anglisë.

“Unë besoj se është e drejtë që inflacioni do të ulet sepse inflacioni u shkaktua nga një goditje globale e ofertës. Por ai u përkeqësua nga politika monetare.” – shpjegoi ajo.

Sekretarja e Jashtme tha gjithashtu se dëshiron të bëjë një rishikim të shpenzimeve.

“Mënyra më e mirë për të ulur shpenzimet është të ndihmosh njerëzit të hyjnë në punë dhe ky është prioriteti im.”

Truss e konsideron veten më radikale se konkurrenti i saj, ish-kancelari Rishi Sunak, kur bëhet fjalë për Brexit.Një ndër mbështetësit e qëndrimit të Britanisë në BE, Truss vuri në dukje marrëveshjet tregtare që ajo ka ndihmuar të sigurohen gjatë viteve të fundit dhe vuri në dukje se ajo tashmë ka mbështetjen e disa anëtarëve të shquar të Brexit.

Ajo u zotua të sigurojë që vendimet për të ardhmen e më shumë se 2,000 ligjeve të BE-së, të miratuara në të kaluarën nga Britania, do të merren deri në fund të vitit të ardhshëm. Sunak ka bërë një premtim të ngjashëm.

Sekretarja e Jashtme mohoi raportet se kryeministri në largim Boris Johnson mbështet ofertën e saj.

“Ai nuk po mbështet asnjë kandidat.” – tha ajo.

Sipas sondazhit të fundit të YouGov, 31% e anëtarëve konservatorë planifikojnë të votojnë për Sunak dhe 49% për Truss, e cila ka ‘përparësi të konsiderueshme’ në besueshmërinë dhe aftësinë për të udhëhequr partinë. Sondazhi u krye në datat 20-21 korrik me 730 anëtarë të Partisë Konservatore.

Fituesi do të shpallet më 5 shtator, pas një votimi me postë të rreth 150,000 anëtarëve të partisë konservatore.