Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon sërish për sulmin kibernetik: Asnjë e dhënë s’është fshirë, po punohet për të forcuar sistemin dhe gjetur autorët


Publikimi në media i dokumenteve të ngarkuara në faqen homelandjustice.ru, që supozohet se janë marrë nga hackerat në serverat qeveritarë ka bërë që Kryeministri Edi Rama të reagojë sërish.

Rama thotë se po spekulohet pa asnjë bazë apo provë. Rama përmend sërish Top Channel për të cilin thotë se nuk e kupton arsyen pse publikoi lajmin ndërkohë që faqja mund të aksesohej me adresë IP të huaj dhe mund të shiheshin dokumentet. Ajo që nuk mund të vërtetohet është nëse kjo faqe i përket vërtetë apo hacker-ave që sulmuan serverët qeveritarë.

Rama thotë se agresioni kibernetik është zmbrapsur nga ekipi shqiptaro-amerikan dhe asnjë e dhënë nuk është fshirë.

Ndërkohë vijon puna për forcimin e mureve mbrojtëse dhe po hetohet identifikimi i sigurt i agresorit.

Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!

Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!

E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media”-shkruan Rama.