Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi thirrje qeverisë: Tani s’ka justifikime, qeveria të ngrihet në lartësinë e duhur


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar pas miratimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të propozimit francez që zgjidh kontestin me Bullgarinë dhe hap negociatat edhe për Shqipërinë me BE-në.

Kryemadhi i ka bërë thirrje politikës shqiptare dhe veçanërisht qeverisë, të ngrihen në nivelin e detyrës dhe të mos ngadalësojnë procesin integrues të vendit.

Kryemadhi shkruan se tani nis shkrimi i një kapitulli të ri për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Kryemadhi ka paralajmëruar se tashmë nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por se nis një periudhë me kritere dhe llogaridhënie.

Një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë është shkruar sot, me votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në favor të formulës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes RMV-BE.

Falë këtij vendimi, por edhe shumë sakrificave që RMV si vend i lidhur me ne në procesin e integrimit, ka kryer për të arritur deri këtu, javës tjetër, Shqipëria më në fund mund të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Moment i shumëpritur, prej nga ku nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por kritere dhe llogaridhënie.

Kërkesa me ngulm e LSI ndaj BE ndër vite ka qenë që, edhe me kritikat e institucioneve europiane për mospërmbushjen e kushteve, çelja e negociatave të kryej sa më parë. Duke e konsideruar procesin në vetvete dhe mbikqyrjen e institucioneve të BE, faktor pozitiv në realizimin e shpejtë dhe cilësor të reformave.

Si forcë politike europiane dhe konsensusi, kemi propozuar që prej vitit 2020 realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që reformat kryesore të realizohen sa më parë dhe me bashkëpunim ndërpartiak, duke e bërë procesin e integrimit imun ndaj politikës së ditës dhe kritikave për njëri tjetrin.

Java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane! Mënyra si i qasemi këtij shansi të ri për vendin, mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë.

Ndaj është koha që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyrës që ky mision kombëtar kërkon”-shkruan Kryetarja e LSI.