Vendosni fjalën kyçe....

Raporti, të gjithë ujësjellësit me humbje përveç Tiranës dhe Kolonjës


Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve janë ndër më problematiket sa i takon bilanceve të tyre ku shumica rezultojnë të jenë me humbje.

Rastet e atyre që arrijnë të përballojë kostot operative dhe të kryejnë investime janë më të rralla se gishtat e njërës dorë. Enti Rregullator i Ujit vlerëson se nga 58 ndërmarrje vetëm dy prej tyre mund nuk mund të cilësohen me humbje.

“Rezultatet financiare për të gjitha shoqëritë UK janë me humbje përveç UK Tiranë dhe UK Kolonjë të cilat mbulojnë totalisht kostot operative dhe pjesërisht ato kapitale, ku përfshihen edhe ato për investime, me të ardhurat nga aktiviteti dhe të tjera. Për vitin 2021 nga 58 shoqëri UK, 12 prej tyre, gjenerojnë të ardhurat e nevojshme për të shlyer vetëm kostot operative, ndërsa të gjitha shoqërive të tjera u mbetet një pjesë e kostove operative për t’u financuar nga jashtë apo subvencionuar, në mënyrë që të mos ngarkohen llogaritë e pagueshme çdo vit” vlerëson raporti i performancës i publikuar pak ditë më parë nga ERRU.

I njëjti dokument nënvizon se gjatë vitit 2021 qeveria qendrore nëpërmjet Agjencia Kombëtare e Ujësjellës -Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, ka shpërndarë 380 milion lekë subvencione, të cilat krahasuar me një vit më parë janë përgjysmuar për shkak se kanë qenë të dedikuara vetëm për kostot e energjisë elektrike.

Në total të dhënat zyrtare të ERRU tregojnë se për vitin 2021 janë realizuar rreth 10 miliardë lekë lekë të ardhura nga aktiviteti i shoqërive UK, të cilat krahasuar me vitin paraardhës janë rritur me 137 milion lekë.

Të ndara në grupe Enti raporton se për ujësjellësit e Grupit të I-rë të ardhurat janë rritur me 95.8 milion lekë.

“Shoqëri që kanë rritje të të ardhurave në Grupin e parë janë UK Fier (+84.4 milion lekë), kryesisht për shkak të rritjes së numrit të lidhjeve, UK Sarandë (+53.8 milion lekë), për shkak të rritjes së nivelit të faturimit dhe unifikimit të nivelit tarifor për të dy zonat Ksamil dhe Sarandë dhe UK Lushnje (+40.1 milion lekë), për shkak të rritjes së numrit të lidhjeve dhe nivelit të faturimit” thuhet në raport.

Në Grupin e II-të konstatohet rritje e të ardhurave për vitin 2021 në shumën 5.9 milion lekë edhe pse UK Tepelenë ka kaluar në grupin e tretë të shoqërive për shkak të ndarjes me UK Memaliaj. Rritjen më të madhe e kanë shënuar UK Peqin, UK Mallakastër, UK Gjirokastër. Me rënie të të ardhurave në këtë grup janë shoqëritë, UK Mirditë (-15 milion lekë), UK Kukës (-14 milion lekë), UK Poliçan (-7.8 milion lekë).

Grupi i III-të i cili zë peshën minimale prej 1% në totalin e të ardhurave, rezulton me rritje të të ardhurave me rreth 35 milion lekë. Ndikimin më të madh në rritjen e të ardhurave e ka dhënë përfshirja në grupin e tretë të dy shoqërive UK Tepelenë dhe UK Memaliaj që më parë kanë qenë në grupin e dytë.

Ndarja e ujësjellësve në grupe ka në bazë numrin e lidhjeve. Në grupin e I bëjnë pjesë ndërmarrjet me më shumë se 15 mijë lidhje, në grupin e dytë 3 mijë-15 mijë lidhje dhe në grupin e tretë nën 3 mijë lidhje./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor