Vendosni fjalën kyçe....

Jep dorëheqjen një tjetër kryeministre në Evropë, ajo e Estonisë


Kaja Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i paraqiti të premten dorëheqjen presidentit Alar Karis. Masa është pjesë e një përpjekjeje njëmujore për të krijuar një qeveri të re koalicioni, pasi Kallas humbi mbështetjen e aleatit të saj të mëparshëm dhe bashkë me të edhe shumicën parlamentare. Një kabinet i ri do të përfshijë tre parti dhe, pasi të finalizohet, Parlamenti pritet të miratojë sërish zonjën Kallas si kryeministre.

“Unë vetë e paraqita këtë propozim për dorëheqje.”- tha Kallas për gazetën estoneze Delfi, duke shpjeguar se ajo dëshironte të shmangte “zhurmën dhe pakënaqësinë” nëse thjesht do emëronte ministra të rinj.

Njoftimi erdhi pasi partia e saj Reforma arriti një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me dy parti më të vogla, Social Demokratët dhe Isamaa (Atdheu).

Shteti baltik është përballur me një krizë të kabinetit qeveritar që nga 3 qershori, kur koalicioni i Kallas me Partinë e Qendrës (Eesti Keskerakond, EK) u nda për shkak të shtytjes për të bërë të gjithë arsimin fillor vetëm në Estonisht – duke ndaluar përdorimin e gjuhës ruse në ish-republikën sovjetike.

Largimi i centristëve e la kryeministren Kallas me vetëm 34 vende në Parlamentin me 101 karrige, që do të thoshte se Social Demokratët dhe Isamaa mund të bënin një ujdi të vështirë për 9 dhe 12 vendet e tyre.

Kallas u bë kryeministre në janar të vitit 2021, pas dorëheqjes së kryeministrit Juri Ratas, pas një skandali. Ajo ka qenë një avokate e zëshme e sanksioneve anti-ruse për konfliktin në Ukrainë, duke i bërë thirrje BE-së të armatosë qeverinë e Kievit. Edhe teksa negocionte mbi qeverinë e re të premten, ajo postoi në “Twitter” për një monedhë të re 2 euroshe të prerë nga banka qendrore e Estonisë, e cila do të shfaqë sloganin “Slava Ukraini” (Lavdi Ukrainës).