Vendosni fjalën kyçe....

Pjesëmarrje surprizë në protestën e PD-së


Opozita mblodhi ditën e sotme në temperatura të larta qindra mijëra qytetarë në Bulevardin përpara selisë së qeverisë.

Qytetarët nuk u dekurajuan nga temperaturat e larta dhe duket se përçarjet në Partinë Demokratike me konsolidimin e Sali Berishës në krye të selisë blu janë tejkaluar duke mbledhur mijëra qytetarë në shesh.

Në të gjithë protestën që zgjati rreth 120 minuta nuk ndodhi asnjë incident apo përplasje me policinë. Vetë organizatorët u kujdesën që të krijonin një kordon paralel me atë të policisë për të mbarëvajtur turmën.

Protesta u hap me këngën “himn” tashmë të bërë nga PD-ja për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe rritur forcën e reagimit kundër saj.

Protestuesit kishin zgjedhur pankarta me mesazhe politike dhe ironike kundrejt qeverisë por edhe lidershipit të kaluar të Partisë Demokratike.

Në protestë mbajti fjalë edhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që tregon një qëndrim të bashkuar me Partinë Demokratike tashmë të drejtuar nga Sali Berisha.

Kryemadhi në fjalën e saj të mbajtur në protestë tha se detyra e opozitës është të mos zhgënjejë qytetarët, siç bëri një vit më parë.

“Sot më shumë se kurrë ky Bulevard po jep edhe njëherë shpresën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë detyrë e opozitës është të mos i zhgënjejë shqiptarët si një vit më parë. Të mblidhemi të tërë për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria është në rrezik më shumë se kurrë, jo sepse Edi Rama është kryeministër, por sepse Edi Rama është vegël qorre e grupeve shqiptare”-tha ndër të tjera Kryemadhi.

Pas Kryemadhit fjalën e mori Sali Berisha i cili shpalli Edi Ramën armik dhe gjatë fjalës së tij përmendi disa nga aferat e qeverisë dhe hodhi akuza për korrupsion galopant me veprat publike infrastrukturore.

Berisha akuzoi Ramën se ndërtoi shtëpinë e tij në Surrel kur kishte vetëm 3-4 mijë euro të deklaruara duke theksuar se ka deklaruar disa variante të ndryshme për burimin e pasurisë.

“Sarajet e Surrelit i ke ndërtuar kur ke pasur 3-4 mijë euro të deklaruara. Një herë deklaron se i ke para emigracioni, ndërsa më pas i deklaron se i bëre me kurbanin, më pas thua se i ke para nga familja.

Çdo qindarkë e tyre është hajni. Ndërtuesi i tyre fitoi tenderin i vetëm në garë me 99.9% të vlerës, 11 mln euro”.

Berisha e cilësoi aferën e inceneratorëve si skandali më i madh i qeverisë së Ramës.  Sipas tij, 60 mln euro u zhdukën përmes pensionistëve. Gjithashtu ai denoncoi edhe ndërtimin e rrugëve për të cilët shprehet se 7 km autostradë në Ibë, u ndërtuan me dyfishin e kostos së tunelit të Kërrabës.

“Me firmat që ke vendosur për djegësat që shkojnë në 420 mln euro për shqiptarët, keni përvetësuar 120 mln euro.

Këto ditë doli se nga 60 mln euro për inceneratorin e Tiranës, sështë ndërtuar asgjë. Paratë kanë përfunduar të fshehur tek pensionistët që nuk dinin asgjë se ekzistonin ato. Skandali i djegësave ësht ëmë i madh por po kaq të mëdha janë paratë e transferuara, por po kaq të mëdha janë paratë nga ndërtimi i rrugëve. Si ka mundësi, 7 km të autostradës në Ibë kanë kushtuar sa 10 km të tunelit të Kërrabës dhe 20 km të Kërrabë-Elbasan, kanë kushtuar 30 mln euro kilometri.

Në mbyllje të fjalimit të protestës së sotme iu drejtua me një thirrje të krerëve të vendeve të Bashkimit Evropian, ku i kërkoi të hapin negociatat e Shqipërisë me BE-në.

Nga sheshi i protestës, Berisha i tha kryeministrit Edi Rama se populli shqiptar do t’i thotë “Jo” Ballkanit të Hapur, Ballkanit të Beogradit dhe atij të Putinit, por sipas tij, ata do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit dhe rrugës sonë evropiane.

Miqtë e mi, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demon i pushtetit, kryehajdut i Evropës. Të dashur qytetarë, politika e jashtme si rregull nuk është çështje e mitingjeve dhe protestave, pro kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe sherret e tij, kur ai shndërrohet në vasal të Vuçiç, kur ai rrethon Kosovën, nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rri pa i thënë: Edi Rama populli opozitar shqiptar patriot kudo që janë, do t’i thonë “Jo” “Ballkanit të Hapur”, “Jo” Ballkanit të Beogradit, “Jo” Ballkanit të Putinit, do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit, rrugës sonë drejt Evropës”, u shpreh Berisha.

Kjo ishte një pjesëmarrje surprizë në protestën e Partisë Demokratike duke konsideruar kohën e zgjedhur temperaturat e larta. /Hashtag.al