Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ka hedhur poshtë akuzat se ai komunikon me Suel Çelën, një person i akuzuar për tentativë vrasjeje të efektivëve të policisë së Elbasanit, incident i ndodhur në Elbasan në 2017-ën.
Bardhi tha se Çela po thërret një për një demokratët në Elbasan për të mbledhur firmat për Kuvendin Kombëtar të PD-së, e sipas tij edhe deputeti Flamur Noka është në dijeni të kësaj,
“Jo nuk kam marrë me Syri TV, Syri TV ka mbi 2 muaj që merret me mua. Madje, drejtuesi i Tv tuaj ka arritur deri aty sa të akuzojë Sekretarin e Përgjithshëm të PD që unë flas në telefon me Suel Çelën. Ai e di shumë mirë që unë nuk flas në telefon me Suel Çelën. E kam pasur përballë në fushatën e 25 prillit dhe sot Suel Çela punon për atë që bën tifo ai zotëria që drejton TV tuaj. Nuk jam marrë unë. Jeni marrë ju me shpifje dhe baltë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD me gjëra që çdo demokrat i Elbasanit qesh dhe tallet kur i dëgjon.
Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim.
E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit t’ua mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela. Nuk e pranojnë kurrë, do apo nuk do Syri TV.”- deklaroi Bardhi.