Vendosni fjalën kyçe....

Eno Bozdo për amnistinë fiskale: I hap rrugën ligjore pastrimit të parave të pista në Shqipëri


Partia Demokratike ka reaguar pas qëndrimit të Komisionit Europian për ligjin për amnistinë fiskale.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, anëtari i Kryesisë, Eno Bozdo tha se KE paralajmëroi atë që PD ka denoncuar me kohë që “ky projektligj i hap rrugën ligjore pastrimit të parave të krimit në Shqipëri, dëmton biznesin e ndershëm, dëmton rëndë reputacionin e vendit dhe forcën e organeve ligj zbatuese”.

Mes të tjerash, ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nesër Frontit të Shpëtimit Kombëtar në protestë.

DEKLARATA E PLOTË E BOZDOS

Me një gjuhë të qartë, Komisioni Europian paralajmëroi dje qeverinë shqiptare për ligjin e amnistisë fiskale.

Nëse miratohet KE paralajëmron se, së pari, do të cënojë rëndë reputacionin e Shqipërisë.

Së dyti do të dëmtojë forcën e ligjit dhe punën e institicioneve që parandalojnë krimin ekonomik dhe paratë e pista në ekonomi.

Partia Demokratike përshëndet këtë qëndrim të Komisionit Europian.

Alarmi që ne kemi ngritur ka qenë i drejtë dhe profesional dhe ne do të vazhdojmë të rezistojmë, në emër të interesit publik dhe të çdo shqiptari.

Një shqetësim shumë serioz për KE mbeten “rezidentët jotatimorë”, si elementë potencialë të pastrimit dhe kontrabandës së parave nga aktivitete të paligjshme.

Pra, siç edhe PD ka denoncuar, ky projektligj i hap rrugën ligjore pastrimit të parave të krimit në Shqipëri, dëmton biznesin e ndershëm, dëmton rëndë reputacionin e vendit dhe forcën e organeve ligjzbatuese.

Nga mitatimi i këtij projektligji humbasin të gjithë, me përjashtim të Edi Ramës, grupit të afërt të tij dhe “çunave problematikë”.

Sa herë afrohen zgjedhjet, aleanca e tij me krimin e organizuar përtërihet.

Ky është rasti edhe kësaj here.

Partia Demokratike ju fton që nesër t’i bashkoheni Frontit të Shpëtimit Kombëtar.

Nëse nuk keni para për të pastruar, por mezi i siguroni për të jetuar, 7 korriku është edhe kauza jote.