Në një deklaratë për mediet pas takimit të sotëm me shoqërinë civile, Berisha tha se qëllimi i protestës së nesërme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
“Ju garantoj që zërat tuaj, kauzat tuaja janë kauza të drejta të cilat do të marrin përgjigjen më të merituar, me largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij.
Natyrisht largimi i kësaj qeverie është hapi i parë jetik dhe i domosdoshëm për të rikthyer në Shqipëri ligjin, liritë, dhe për të zhbërë padrejtësitë evidente, të qarta, ndaj qytetarëve. Ju siguroj se për ne, prapa çdo kauze qëndron një liri e dhunuar, pavarësisht grupit, apo përmasat e grupit që është prekur prej saj, konsiderojmë jetike banesën, shtëpinë dhe një dhunim antikushtetues, antiligjor në përputhje me këtë qëndrim ne do të mbajmë të gjitha qëndrimet tona.
Por unë mendoj se protesta është rruga, është mënyra për t’i hapur rrugë zhbërjes së padrejtësive që kanë ndodhur.
Dhe ju e çdo banor të zonave, viktima të arbitraritetit dhe korrupsionit, viktima të dhimbshme, duhet të bashkohen me ne nësër në protestë. Iliri e shtroi me të drejtë, gjithë kjo betejë është një betejë për të ardhmen. Është një betejë në të cilën mësimet e të shkuarës duhet të na nxisin, të na frymëzojnë, të na udhëzojnë që të mos përsëriten gabime të të shkuarës dhe të përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme tjetër për shqiptarët në këtë vend.
Ne zgjidhjen e këtyre kauzave e gjejmë me largimin e qeverisë nga pushteti. Dorëheqja dhe largimi i qeverisë së Edi Ramës, është objektivi kryesor, është qëllimi më madhor i protestës së 7 korrikut dhe protestave që do të vijnë më pas të popullit opozitar.”– tha Berisha para gazetarëve.
Mes të tjerash gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së paralajmëroi të gjitha policitë, që të mos bëjnë presion, të mos dhunojnë dhe të mos provokojnë protestuesit nesër.
“Një thirrje për cdo shqiptar të bashkohet nesër në protestën e 7 korrikut, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës dhe qeveritarëve të qeverisë së tij nga pushteti. Situata është jashtëzakonisht e ndezur. Pakënaqësi dhe urrejtja për këtë qeveri ka rrokur qiellin. Pandjeshmëria e saj është gjithashtu po kaq e madhe.
Mos të harrojmë se një kauzë të drejtë asgjë nuk mund ta mposhtë. Ndaj dhe shfrytëzoj këtë rast për të ftuar cdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi të kontribuojë me praninë e tij në suksesin e protestës. Paralajmëroj të gjithë llojet e policive, se çdo presion, cdo qëndrim, çdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar, popullin opozitar, do të regjistrohet dhe do të marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit. Është e vërtetë që vapa dhe temperaturat janë të larta, por më të larta janë temperaturat e brendshme të njerëzve, që vijnë të protestojnë ndaj këtij regjimi. Nesër pra është një ditë e madhe. Nesër është një ditë frymëzimi, një ditë beteje të vërtetë. Opozita zbret në shesh. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë.”- theksoi ai.