Vendosni fjalën kyçe....

Terror në Danimarkë, tre viktima e të plagosur rëndë nga të shtënat në kryeqytetin Kopenhagen


Tre persona u vranë e tre të tjerë u plagosën nga të shtënat në një qendër tregtare në kryeqytetin danez, Kopenhagen, tha policia daneze. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën pasdite në një qendër tregtare pranë aeroportit të qytetit.

Një i dyshuar 22-vjeçar u arrestua më pas nga policia.

Inspektori i policisë së Kopenhagenit Soren Thomassen tha se ishte shumë herët për të spekuluar mbi motivin e të shtënave, që ndodhi në pasditen e vonë në Field’s, një nga qendrat tregtare më të mëdha skandinave dhe në periferi të kryeqytetit danez.

Megjithatë motivi i parë që po hetohet nga autoritetet është ai i sulmit terrorist.

Thomassen tha se viktimat përfshinin një burrë rreth të 40-tave dhe dy “të rinj”, pa dhënë hollësi. Disa të tjerë u plagosën, tre prej tyre në gjendje të rëndë, tha ai.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se vendi skandinav ishte goditur nga një “sulm mizor”.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan njerëz që vraponin nga qendra tregtare dhe kanali televiziv danez TV2 postoi një foto të një burri duke u vendosur në një barelë. Dëshmitarët thanë se njerëzit qanin dhe fshiheshin nëpër dyqane.

Qendra tregtare është drejtpërdrejt përballë një linje metroje që lidh qendrën e qytetit me aeroportin ndërkombëtar. Një autostradë e madhe kalon gjithashtu ngjitur me Field’s.