Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan thotë se Turqia do të ketë ushtrinë më të mirë në botë


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është zotuar ta bëjë ushtrinë e Ankarasë “numrin një” në botë, duke pretenduar se ka bërë arritje “frymëzuese” dhe përparime të mëdha në stërvitje në vitet e fundit.

Duke folur në një ceremoni diplomimi të premten në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë në Stamboll, Erdogan përshëndeti ushtrinë për ndihmën që kanë dhënë “në ndërtimin e një Turqie të madhe dhe të fuqishme“, duke shtuar: “Nuk ka asnjë kërcënim që ushtria nuk mund ta kapërcejë në tokë, në det dhe në ajër.”

“Ne do të rilindim vazhdimisht dhe do të bëjmë hapa të mëtejshëm derisa të bëjmë Forcat e Armatosura Turke numrin NJË në botë me të gjitha elementet, trajnimet, pajisjet, teknologjinë dhe përvojën e saj.”- vazhdoi presidenti turk.

Megjithëse ai pranoi “mangësitë dhe aspektet që kanë nevojë për përmirësim” në sistemin e trajnimit ushtarak të Ankarasë, Erdogan tha se hapja e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2017 ishte një pikë kthese e madhe, e cila “ndryshoi plotësisht” arsimin dhe stërvitjen për trupat e reja.

“Ne mblodhëm të gjitha institucionet tona të arsimit dhe trajnimit ushtarak nën një çati. Në këtë strukturë të përbashkët kemi krijuar një sistem arsimor modern që reflekton si shembujt në botë ashtu edhe nevojat e sotme.”– shtoi ai.

Presidenti gjithashtu trajtoi shkurtimisht çështje më të gjera gjeopolitike gjatë fjalimit të tij, duke diskutuar aleancën e NATO-s, anëtare e së cilës është edhe Turqia, si dhe kërkesën për t’u bashkuar nga Finlanda dhe Suedia.

“Hapi i parë është që vendet që aplikojnë për anëtarësim të pranojnë kushtet tona dhe të bëjnë një angazhim me shkrim, dhe dy vendet e fundit nuk janë anëtare, ato i nënshtrohen një ftese për anëtarësim. Këto janë një ftesë për t’u bashkuar.”– tha ai. “Nëse ata i plotësojnë kushtet, ne do të bëjmë pjesën tonë”.

Ankaraja fillimisht i kundërshtoi aplikimet për anëtarësim, duke akuzuar dy shtetet nordike se strehojnë grupe terroriste. Por ka zbutur qëndrimin e saj, duke kërkuar që Helsinki dhe Stokholmi të bien dakord të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm që ata të pranohen në NATO.