Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti ukrainas ndalon muzikën ruse


Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, të dielën e shpalli të jashtëligjshme muzikën ruse nga media dhe hapësira publike e vendit, thuhet në një njoftim në faqen e tij të internetit.

Sipas deputetit Jaroslav Zheleznyak, 303 deputetë e mbështetën masën.

“Parlamenti ndaloi gjithashtu importin dhe shpërndarjen e librave dhe produkteve të tjera botuese nga Federata Ruse, territoret e pushtuara përkohësisht prej saj dhe nga Bjellorusia.” – shkroi Zheleznyak, duke shtuar se kjo lëvizje u mbështet nga 306 nga 450 anëtarët e parlamentit. .

Legjislacioni i miratuar ndryshon disa ligje ekzistuese. Sipas shënimit shpjegues të projektligjit, ligji ndalon plotësisht dhe në mënyrë të pacaktuar ‘shfaqjen publike, demonstrimin publik, përdorimin publik të fonogrameve, videove dhe videoklipit të këngëtarëve që pas vitit 1991 kanë qenë shtetas të shtetit agresor’.

Kufizimet nuk do zbatohen për ata muzikantë rusë që hoqën dorë publikisht nga ofensiva ushtarake e Moskës në Ukrainë dhe kështu mund të shtohen në të ashtuquajturën ‘listë të bardhë’ të interpretuesve. Kjo listë do përpilohet dhe përditësohet rregullisht nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Votimi i Radës erdhi dy ditë pasi Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Bashkiak të Nikolaev, një qytet në Ukrainën jugore, vendosi të ndalojë përdorimin e gjuhës ruse në shkolla.

Më herët, muzikantëve të rrugës në qytetin perëndimor të Ukrainës, Ternopol, iu ndalua të këndonin në rusisht.

Edhe pse kufizimet në gjuhën ruse kohët e fundit kanë rritur ritmin, procesi i paraprin fillimit të ofensivës së Moskës. Në mars 2019, qeveria ukrainase ndaloi rreth 40 vepra arti për shkak të përmendjes së bizneseve ruse, artistëve, rrjeteve sociale, portaleve të internetit, Bashkimit Sovjetik ose figurave politike sovjetike.

Pavarësisht se rusishtja është një gjuhë e zakonshme amtare në një pjesë të Ukrainës dhe mbizotëruese në shumë qytete si në lindje ashtu edhe në jug të vendit, asaj nuk iu dha një përjashtim në ligj, megjithëse shumë nga dispozitat janë zbatuar shkallë-shkallë.